Aleksandr Lavrentiev: Prania e SHBA-ve kërcënim për integritetin e Sirisë

"Shohim se SHBA-të kanë formuar baza. Veçanërisht bashkëpunimi me kurdët në përgjithësi paraqet kërcënim për integritetin territorial të Sirisë", tha Lavrentiev

 Aleksandr Lavrentiev, përfaqësuesi special i presidentit të Rusisë Vladimir Putin për Sirinë, kritikoi themelimin e bazës ushtarake amerikane në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

“Tashmë në territorin e Sirisë janë vendosur forcat e SHBA-ve. Në atë rajon janë edhe organizatat si DEASH-i. Gjithashtu edhe opozitarët theksuan qartazi se nuk janë të kënaqur nga prania e SHBA-ve. Mendojnë se forcat amerikane janë kërcënim për integritetin territorial të Sirisë. Shohim se SHBA-të kanë formuar baza. Veçanërisht bashkëpunimi me kurdët në përgjithësi paraqet kërcënim për integritetin territorial të Sirisë”, tha Lavrentiev lidhur me praninë e ushtarëve amerikanë në Siri, në konferencën për media pas mbledhjes së 11-të të vendeve garantuese e zhvilluar në Astana.

Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me pjesëmarrjen e kurdëve në procesin e zgjidhjes politike, Lavrentiev tha se, “Turqia PKK-në e sheh si kërcënim ndaj sigurisë së saj kombëtare. Sigurisht që nuk do të dëshironte të marrë pjesë në procesin e zgjidhjes. Ne në përgjithësi dëshirojmë që kurdët tjerë të marrin pjesë në procesin e zgjidhjes. Sigurisht që jemi duke bërë dallim mes grupeve terroriste. Edhe Kombet e Bashkuara këtë çështje e mban nën kontroll”.

Lavrentiev në deklaratën e djeshme kritikoi ndihmat e SHBA-ve që po vazhdojnë ndaj organizatës terroriste YPG/PKK nën pretekstin e luftimeve ndaj DEASH-it.

Ndërsa në deklaratat për mediat ruse, Lavrentiev tha se, “Shteti garantues i procesit të Astanas, Turqia, konfirmon përkushtimin ndaj parimeve të integritetit dhe pavarësisë së Sirisë. Jep garanci se njësitë e saj ushtarake në territorin e Sirisë janë të përkohshme. Kemi shpresa se Turqia do t’i përmbushë premtimet. Shpresojmë që pasi rajoni të stabilizohet do t’i tërheqë ushtarët. Nuk ka ndonjë mundësi të përleshjes mes Rusisë dhe Turqisë”.