Regjimi i Bashar al Asadit në Siri ka vrarë duke torturuar aktivisten Leila Shaukani me nënshtetësi amerikane, e cila ishte e burgosur nga regjimi 2 vite më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Komiteti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SHRC) me qendër në Londër, konfirmohet se regjimi i Asadit 4 ditë më parë ka lajmëruar familjarët për vdekjen e 26 vjeçares Shaukani, të cilën e kishte arrestuar në vitin 2016.
Gjithashtu në deklaratën e SHRC-së thuhet se familja ka patur kontakte për herë të fundit me Shaukani deri me 26 dhjetor 2016 kur ajo ishte e arrestuar në burgun Adra në kryeqytetin Damask, dhe që nga ajo kohë janë ndërprerë kontaktet me familjarët.
Regjimi me 26 nëntor thuhet se ka njoftuar zyrën e gjendjes civile për vdekjen e Leila Shaukani e cila kishte studiuar për inxhinieri kompjuterike dhe ishte nënshtetase amerikane e lindur në Damask.
Po ashtu edhe Koalicioni Kombëtar i Forcave Opozitare dhe Revolucionare të Sirisë në një deklaratë ka kërkuar gjykimin e përgjegjësve për vdekjen e Shaukani, si dhe ka theksuar se duhet të hidhen hapat e nevojshëm për të dënuar regjimin e Asadit i cili është përgjegjës për vdekjen e dhjetëra mijëra civilëve në Siri.
Aktivistët sirianë në një postim në rrjetin social kanë theksuar se vajza e re është arrestuar për shkak se ka dhënë mbështetje punimeve për ndihmat humanitare.
Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR), në raportin e tij të publikuar më 27 gusht, kishte njoftuar se familjarëve të 836 personave nga qindra mijëra të burgosur të regjimit të Asadit u janë raportuar vdekjet e ndodhura në burg.
Sipas burimeve të opozitës siriane, regjimi vazhdon të mbajë në burgje të paktën 500 mijë njerëz.



