Kryeministrja britanike May do të takohet me princin saudit

"Mesazhi që do të jap do të jetë shumë i qartë. Ky është mesazhi që e kemi dhënë vazhdimisht në lidhje me Jamal Khashoggin dhe Jemenin", tha May

Kryeministrja britanike Theresa May tha se do të takohet me princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman gjatë samitit të G20-tës në Argjentinë, duke njoftuar se palës saudite do t’i jepen “mesazhe shumë të qarta” në lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe Jemenin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mesazhi që do të jap do të jetë shumë i qartë. Ky është mesazhi që e kemi dhënë vazhdimisht në lidhje me Jamal Khashoggin dhe Jemenin”, u tha May gazetarëve në avionin me të cilën udhëtoi për në Argjentinë për samitin e G20-tës.

“Është e qartë se presim një hetim transparent në lidhje me rastin Khashoggi dhe kërkimin e llogarisë nga përgjegjësit”, shtoi ajo.

May po ashtu shprehu shqetësime në lidhje me situatën në Jemen, duke theksuar se presin një zgjidhje afatgjate lidhur me krizën në këtë vend.

Ministria e Jashtme britanike më herët ka thënë se janë duke i shqyrtuar me Bashkimin Evropian mundësitë për një regjim global sanksionesh në lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë Jeremy Hunt javën e kaluar vizitoi Arabinë Saudite, ku u takua me princin Mohammed bin Salman dhe Mbretin Salman bin Abdulaziz.

Khashoggi, gazetar saudit që punonte për gazetën The Washington Post, u vra pak pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor.

Qeveria saudite ka ofruar sqarime të ndryshme nga njëra-tjetra në lidhje me vrasjen, duke e mohuar atë fillimisht, ndërsa më pas tha se vrasja ishte aksidentale dhe më në fund iu referua asaj si një operacion jashtë komandës.