Erdoğan: Rasti Khashoggit është një vrasje qyqare dhe e tillë do të mbetet

"Asnjëherë nuk e konsideruam vrasjen e Khashoggit si çështje politike. Kjo ngjarje për ne është një vrasje qyqare dhe e tillë do të mbetet", tha presidenti Erdoğan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, e cilësoi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi si “një vrasje qyqare” dhe tha se ky krim doli në pah në saje të qëndrimit të vendit të tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas përfundimit të Samitit të Liderëve të G20-tës, që u mbajt në Buenos Aires të Argjentinës, presidenti Erdoğan në një konferencë për media ka folur edhe për vrasjen e gazetarit saudit në Konsullatën Saudite në Stamboll, duke theksuar se, “Asnjëherë nuk e konsideruam vrasjen e Khashoggit si çështje politike. Kjo ngjarje për ne është një vrasje qyqare dhe e tillë do të mbetet”.

Sipas tij, pa nxjerrjen në pah të të gjithë përgjegjësve të vrasjes së gazetarit saudit, përfshirë urdhëruesin dhe zbatuesit, është e pamundur që bota islame dhe opinioni botëror të jetë i kënaqur.

“Turqia vuri në përdorim të gjitha mundësitë për zbardhjen e vrasjes së Khashoggit qëkur mësoi për ngjarjen. Kjo vrasje, e cila në fillim u mohua nga qeveria saudite, ndërsa më pas u shtrembërua dhe më në fund u pranua, doli në pah në saje të qëndrimit të vendosur të Turqisë”, deklaroi presidenti Erdoğan.

Khashoggi, gazetar saudit që punonte për gazetën The Washington Post, u vra pak pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor. Qeveria saudite ka ofruar sqarime të ndryshme nga njëra-tjetra në lidhje me vrasjen, duke e mohuar atë fillimisht, ndërsa më pas tha se vrasja ishte aksidentale dhe më në fund iu referua asaj si një operacion jashtë komandës.

Më tej, presidenti turk foli edhe për eksplorimet e njëanshme të palës greke në afërsi të ishullit të Qipros, duke porositur se nuk do të lejojnë uzurpimin e të drejtave të Qipros Turke, siç i quajti ai, “të pronarëve të vërtetë të resurseve të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor”.

Reagimi i Erdoğan paraqet vazhdimësi të paralmërimeve të Turqisë në drejtim të palës greke në ishull, të cilët në mënyrë të njëanshme i kanë vazhduar eksplorimet e resurseve të hidrokarbureve në Mesdheun Lindor.

Turqia i ka dënuar këto eksplorime, duke thënë se resurset natyrore në afërsi të ishullit të Qipros u përkasin të dyja palëve.

“Turqia do të vazhdojë të marrë masat e nevojshme përderisa pala greke vazhdon politikat shkelëse që shpëfillin të drejtat e turqve të Qipros”, tha Erdoğan.

Lidhur me praninë e organizatës terroriste YPG/PKK në veri të Sirisë, Erdoğan paralajmëroi se së shpejti do të çlirojnë lindjen e Eufratit në Siri nga “mizoria dhe okupimi i organizatës terroriste, njësoj sikurse në perëndim të tij”.

“Nuk do të lejojmë asnjë subjekt në veri të Sirisë që përbën kërcënim për sigurinë e Turqisë dhe rajonit”, deklaroi presidenti i Turqisë.

Ai po ashtu bëri thirrje për përfundimin e krizës në Jemen dhe ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, duke theksuar nevojën që urgjentisht t’i jepen fund vuajtjeve të popullit jemenas.