Sergey Shoygu: Rusia do të vazhdojë të armatoset

Shoygu tha se po diskutojnë për masat e nevojshme për përmirësimin e aftësive luftarake të ushtrisë ruse kundër vendimit të SHBA-ve për t’u tërhequr nga Marrëveshja Bërthamore

Ministri i Mbrojtjes së Rusisë, Sergey Shoygu tha se po diskutojnë për masat e nevojshme për përmirësimin e aftësive luftarake të ushtrisë ruse kundër vendimit të SHBA-ve për t’u tërhequr nga Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme, raporton Anadolu Agency (AA).

Shoygu në një deklaratë tha se gjatë takimeve muajin e kaluar në Soçi, mes presidentit të Rusisë Vladimir Putin dhe Ministrisë së Mbrojtjes dhe të zyrtarëve të Industrisë së Mbrojtjes, është diskutuar për programin e armatimit të ushtrisë ruse deri në vitin 2027.

Gjatë takimit me Putinin, Shoygu thotë se kanë diskutuar edhe për vendimin e SHBA-ve për t’u tërhequr nga Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme.

“Në lidhje me planet e SHBA-ve për t’u tërhequr nga Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme, në kuadër të garës së rritur të armatimit, kemi diskutuar për masat e nevojshme, për rritjen e aftësive për luftë të trupave ushtarake dhe të forcave tona”, tha ai.

Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme e cila ka për qëllim mbrojtjen e aleatëve në Evropë dhe në Lindjen e Largët u nënshkrua në vitin 1987 në Washington mes SHBA-ve dhe Rusisë.

Marrëveshja ndalon që Rusia dhe SHBA-të të blejnë, prodhojnë apo testojnë raketa me rreze 300-3400 milje që lëshohen nga toka. SHBA-të shpesh e akuzonin Rusinë për shkelje të kësaj marrëveshjeje.