Manjatja turke në top listën e grave më të fuqishme, Merkel kryeson listën

Merkel u zgjodh gruaja më e fuqishme në botë për të tetin vit radhazi dhe 13 herë në total. Ajo u pasua nga kryeministrja britanike dhe drejtuesja e FMN-së

Sipas revistës amerikane të biznesit “Forbes”, manjatja turke e biznesit, Güler Sabancı, është ndër gratë më të fuqishme në botë, ndërkohë që kancelarja gjermane, Angela Merkel, vazhdon të kryesojë listën e 100 grave më të fuqishme në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sabancı, kryetare dhe drejtoreshë e Sabancı Holding, konglomerati i dytë më i madh i Turqisë, në “Forbes” renditet në vendin e 64-të në listën e 100 grave më të fuqishme.

Sabancı është gruaja e parë që drejton konglomeratin turk Sabancı Holding, pronat e të cilave përfshijnë veprime bankare, të energjisë, shitjes me pakicë dhe sigurimin. Ajo po ashtu është themeluese e Universitetit Sabancı dhe Fondacionit Sabancı, ndër fondacionet më të mëdha bamirëse private të Turqisë.

Në listën e revistës amerikane, kancelarja Merkel u zgjodh gruaja më e fuqishme në botë për të tetin vit radhazi dhe 13 herë në total. Ajo u pasua nga kryeministrja britanike, Theresa May dhe drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde.

Në 10 emrat e parë të kësaj liste, pas Merkel, May dhe Lagarde vijnë drejtoresha ekzekutive e General Motors, Mary Barra, drejtoresha ekzekutive e kompanisë për investime Fidelity Abigail Johnson, themeluesja dhe zëvendës kryetarja e Fondacionit “Bill & Melinda Gates”, Melinda Gates, drejtoresha ekzekutive e YouTube-s, Susan Wojcicki, kryetarja ekzekutive e Santander Group, Ana Patricia Botin, kryetarja ekzekutive e Lockheed Martin, Marillyn Hewson dhe drejtoresha ekzekutive e IBM-së (Makinat Ndërkombëtare të Biznesit), Ginni Rometty.

Sabancı tejkalon figurat e tilla si shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, yllin e muzikës pop, Taylor Swift dhe fituesen e çmimit Grand Slam, Serena Williams.

Lista vjetore përfaqëson gratë në gjashtë kategori, në atë të biznesit, teknologjisë, financave, medias dhe argëtimit, politikës dhe filantropisë.

Në këtë listë, ku përfshihen emrat e një numri të madh të grave nga bota e punës dhe artit, këtë vit kanë hyrë 20 emra të rinj.

Gratë që marrin pjesë në këtë listë, e cila përgatitet çdo vit që nga viti 2004, përcaktohen në bazë të kritereve si shikueshmëria në media, drejtimi në politikë dhe ekonomi.