Kryeministri holandez: Të gjithë ne mbajmë “jelekë të verdhë”

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte deklaroi se megjithatë edhe politikanët ndonjëherë nuk mund të zgjidhin probleme të caktuara

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte tha se i kupton protestat e qytetarëve të pakënaqur dhe se të gjithë njerëzit kanë një “jelek të verdhë”, duke aluduar tek “Lëvizja e Jelekëve të Verdhë” në Francë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne të gjithë kemi jelekë të verdhë, sepse të gjithë ne në njëfarë mënyre ndjejmë shqetësime të caktuara rreth asaj që po ndodh në shoqëri. Politikanët duhet, për aq sa është e mundur, t’u japin përgjigje disa pyetjeve”, u tha Rutte gazetarëve në Hagë, duke potencuar se edhe veten mund ta imagjinojë në pozicionin e “Jelekëve të Verdhë”.

“Protestat e jelekëve të verdhë janë një shprehje e qartë shqetësimi për ndryshimet klimatike, fluksin e migrantëve dhe situatës ekonomike të qytetarëve me të ardhura të mesme. Këto janë shqetësimet që të gjithë i ndjejnë”, tha kryeministri holandez.

Ai shtoi se edhe politikanët nuk mund të zgjidhin probleme të caktuara.

“Ne bëjmë aq sa është në fuqinë tonë, por nuk shkojnë gjithmonë mirë, sepse mundësitë dhe buxheti nuk janë të pakufizuara”, tha Rutte.

Ai theksoi se megjithatë nuk duhet shkaktuar dhunë në protesta, duke vënë në dukje se “Jelekët e Verdhë” në Francë mund të ndahen në dy grupe.

“Nga njëra anë, ka një grup që sinqerisht dëshiron të diskutojë shqetësimet e tyre me qeverinë franceze dhe ka një grup tjetër të vogël që abuzon me protestat dhe shkakton dhunë, diçka që është e papranueshme”, tha Rutte.

Ai theksoi nevojën për të mbajtur një dialog të përhershëm me qytetarët, duke shtuar se kjo është pikërisht ajo që dëshiron të bëjë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Në fund, ai tha se nuk priste që “Jelekët e Verdhë” të ishin të dhunshëm edhe në Holandë si në Francë, duke shtuar se protestat anti-qeveritare në vendin e tij deri tani kanë kaluar në mënyrë paqësore.

Javën e kaluar në Holandë, në disa qytete janë mbajtur protesta anti-qeveritare nga “Jelekët e Verdhë”, sipas shembullit në Franca që zgjasin tre javë.