Britani, Partia Konservatore sot zhvillon votë mosbesimi për Theresa May

Në rast se nuk siguron mbështetjen e duhur, May do të detyrohet të japë dorëheqje dhe nuk do të mund të kandidohet në zgjedhjen e liderit të ri të partisë

Sot në Partinë Konservatore në Britani do të zhvillohet votë mosbesimi për kryeministren Theresa May si lidere e këtij subjekti politik, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vota e mosbesimit është vendosur të zhvillohet sot në orën 18:00 sipas kohës lokale pas nënshkrimit të 48 deputetëve të partisë që kanë kërkuar një hap të tillë, njoftoi Partia Konservatore.

Ndërkaq, kryeministrja May, duke dhënë deklaratë para zyrës së kryeministrisë në lidhje me këtë zhvillim, tha se sot do të luftojë për lidershipin e partisë.

“Do të bëj gjithçka që mundem në këtë garë”, u shpreh May.

Ajo vuri theksin mbi rëndësinë e procesit të Brexit-it dhe tha se vendi i saj nuk e toleron pasigurinë.

Kryeministrja britanike theksoi se në rast të zgjedhjes së një lideri të ri të partisë, atëherë vendi mund të ngelet i detyruar të zgjasë apo ndalojë Nenin 50 që rregullon procesin e largimit të vendit nga Bashkimi Evropian (BE).

May po ashtu tha se lideri i ri i partisë mund ta ndalojë në tërësi Brexit-in.

Theresa May duhet të sigurojë të paktën mbështetjen e 158 nga 315 deputetë në grupin parlamentar të partisë për të ngelur në detyrë. Në rast se arrin të mbajë postin, atëherë në 12 muajt e ardhshëm ndaj saj nuk mund të inicohet votë tjetër mosbesimi.

Në rast se nuk siguron mbështetjen e duhur, ajo do të detyrohet të japë dorëheqje dhe nuk do të mund të kandidohet në zgjedhjen e liderit të ri të partisë.

Në mesin e emrave potencialë për ta zëvendësuar May-in përmenden ish-ministrat e Brexit-it, Dominic Raab dhe David Davis, ish-ministri i Jashtëm, Boris Johnson, si dhe ministri i Brendshëm me origjinë pakistaneze, Sajid Javid.