Ana Brnabiç: Formimi i Ushtrisë së Kosovës nuk kontribuon për stabilitetin rajonal

Ajo shtoi se pa stabilitet të rajonit nuk ka Serbi stabile dhe se më mirë të bisedohet për bashkëpunim, se të ngrenë barriera dhe të mendohet për pengimin e bashkëpunimit

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ka deklaruar se formimi i Ushtrisë së Kosovës nuk kontribuon për stabilitetin rajonal, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sot për mua është një ditë e rëndë. Kjo nuk është një ditë që kontribuon për stabilitetin në rajon. Serbia do të orvatet të vazhdojë në rrugën e saj të paqes dhe stabilitetit”, tha Brnabiç në konferencën për media pas nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim me Forumin Ekonomik Botëror.

Ajo shtoi se pa stabilitet të rajonit nuk ka Serbi stabile dhe se më mirë të bisedohet për bashkëpunim, sesa “të ngrenë barriera dhe të mendohet për pengimin e bashkëpunimit”.

Brnabiç tha se dëshiron që të mos flitet për ushtarë dhe armë, por për bashkëpunim.

Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK.

Votimi i projektligjeve të sotme pritet të dekretohet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas së cilës Kosova zyrtarisht bëhet me ushtri.