Irani akuzon vendet perëndimore si “papagaj të Netanyahut”

Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif ka akuzuar vendet perëndimore si "papagaj që përsërisin ndaj Teheranit pretendimet e pabazuara të kryeministrit izraelit Netanyahu"

 Ministri i Jashtëm i Iranit, Muhammed Javad Zarif ka akuzuar vendet perëndimore si “papagaj që përsërisin ndaj Teheranit pretendimet e pabazuara të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Netanyahu fillmisht duke qëndruar pranë fabrikës së bombave bërthamore kërcënoi me eliminimin e Iranit. Ndërsa tani krenohet me raketat e tij agresive që mund të arrijnë në çdo pikë dhe ende ankohet nga raketat e Iranit me qëllime parandaluese dhe mbrojtëse. Ndërkohë edhe perëndimi përsërit fjalët e tij si papagall”, tha Zarif nëpërmjet llogarisë së tij në Twitter duke kritikuar vendet perëndimore se mbështesin pretendimet e Izraelit.

Netanyahu kërcënoi Qeverinë e Teheranit në fund të gushtit kur vizitoi kompleksin bërthamor në Dimona. Netanyahu edhe dje, gjatë vizitës së tij në objektin e industrisë së aviacionit izraelit tha se “kanë zhvilluar raketa të kapaciteteve që mund të vendosin në objektiv çdo pikë në Lindjen e Mesme dhe të cilat nuk i ka asnjë vend tjetër”.

Izraeli njihet si vendi i vetëm me armë bërthamore në rajon, edhe pse nuk e konfirmon zyrtarisht atë. Administrata e Tel Avivit gjithashtu refuzon të nënshkruajë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Izraeli pretendojnë se programi i raketave balistike të Iranit ka shkelur Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

OKB-ja më 4 dhjetor, me thirrjen e Francës dhe Britanisë së Madhe zhvilloi një takim me dyer të mbyllura ku diskutoi testimet e raketave balistike nga ana e Teheranit, por nga ky takim nuk doli asnjë rezultat.