Çështjet politike, përpjekjet për proceset integruese në organizatat evropiane, vizitat e shpeshta të ndërkombëtarëve dhe protestat ishin disa nga çështjet kryesore të një viti më parë dhe që vazhduan të jenë aktuale edhe gjatë vitit 2018 në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Ato janë disa nga zhvillimet më të rëndësishme në tre vendet e rajonit të cilat shënuan vitin 2018 dhe që Anadolu Agency (AA) i sjell në mënyrë kronologjike.
– MAQEDONI
11 janar – Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili parashikon që në të gjitha organet e pushtetit shtetëror krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të vendit dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe. Presidenti i vendit refuzoi dekretimin e Ligjit me arsyetimin se është anti-kushtetues, por më vonë më 14 mars, ky ligj sërish u votua në Kuvendin e Maqedonisë.
17 janar – Jens Stoltenberg, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s filloi vizitën e tij dy-ditore në Maqedoni, pas pothuajse katër vitesh nga vizita e fundit kur Andres fog Rasmusen qëndroi për vizitë lamtumirëse në maj të vitit 2014. Pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, Stoltenberg deklaroi se dyert e NATO-s janë të hapura për vende të reja anëtare, por se pa zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë, ky vend nuk mund të anëtarësohet në NATO.
1 shkurt – Përfaqësuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) në bisedimet për çështjet e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Matthew Nimetz, gjatë vizitës në Maqedoni deklaroi se “do të ishte tragjedi për rajonin nëse nuk arrihet një zgjidhje për këtë çështje”.
25 shkurt – Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, vizitoi Maqedoninë, ndërsa deklaroi se vendi është në një rrugë të mirë, në të cilën duhet të vazhdojë më tej në mënyrë që mund të marrë rekomandimin e nevojshëm nga Komisioni Evropian.
12 mars – Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), Denis Zvizdiq, vizitoi Maqedonisë dhe me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, ranë dakord që qytetarëve të Maqedonisë dhe BeH-së t’u lehtësohet lëvizja për kalimin e kufijve në të dy vendet vetëm me letërnjoftime.
13 mars – Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, vizitoi Maqedoninë dhe pas takimit me kryeministrin e vendit, Zoran Zaev, deklaroi se administrata amerikane është dhe do të përfshihet më shumë në kontestin e emrit që ka Maqedonia dhe Greqia, por se marrëveshja duhet të jetë fryt i një pajtimi mes Shkupit dhe Athinës.
23 mars – Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias, pas takimit në Shkup me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, duke folur për mosmarrëveshjen rreth emrit midis dy vendeve, deklaroi se ajo do të jetë një zgjidhje e drejtë dhe e saktë, e cila do të marrë parasysh interesat e të dyja palëve.
26 mars – Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë vendosi të dëbojë një diplomat rus, në shenjë solidarizimi me Mbretërinë e Bashkuar dhe me partnerët e vendit në NATO dhe BE, të cilët po ashtu dëbuan diplomatë rusë nga vendet e tyre, pas helmimit të ish-agjentit rus, Sergei Skripal, në Salisbury të Anglisë, vepër për të cilën Londra akuzoi Rusinë duke pretenduar se është përdorur helmi nervor Novichok, të cilat forcat sovjetike e kanë përdorur në Luftën e Dytë Botërore.
14 prill – Duke blerë shkollën private Woodrow Willson School, nisi aktivitetet në Maqedoni Fondacioni Maarif i Turqisë (TVM), i cili fitoi statusin e personit juridik në gjashtë vende të Ballkanit.
18 prill – Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, i dorëzoi kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev në Shkup, raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë në rrugëtimin e saj integrues, ku deklaroi se Maqedonia e ka merituar rekomandimin e pakushtëzuar. Në të njëjtën ditë, vendi u vizitua edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punë dhe Politikë të Sigurisë dhe zv/presidente e Komisionit Evropian (KE), Federica Mogherini, e cila përshëndeti progresin e këtij vendi.
27 prill – Presidenti i Këshillit Evropian (KE), Donald Tusk, vizitoi Maqedoninë në kuadër të takimit të liderëve të vendeve të Procesit Brdo-Brioni (Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi), pritës i të cilit këtë vit ishte presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
17 maj – Me rastin e 25 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë dhe Britanisë së Madhe, kryeministrja britanike, Theresa May, qëndroi për vizitë në Maqedoni, ku u prit në takim nga homologu i saj maqedonas, Zoran Zaev.
12 qershor – Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në një konferencë për media në Qeverinë e Maqedonisë, në prani të të gjithë ministrave të qeverisë, njoftoi se “Republika e Maqedonisë së Veriut” është zgjidhja e arritur rreth kontestit të emrit me Greqinë, pasi më herët propozimi “Republika Ilinditase e Maqedonisë nuk gjeti kompromis me palën greke.
17 qershor – Qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë në anën greke të liqenit të Prespës e nënshkruan Marrëveshjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjes rreth emrit dhe për partneritet strategjik, sipas të cilës Maqedonia duhet të ndryshojë emrin e shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut.
12 korrik – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në Bruksel zyrtarisht ia dorëzoi ftesën kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, për fillim të negociatave për anëtarësim në Aleancë.
30 korrik – Kuvendi i Maqedonisë shpalli mbajtjen e referendumit për emrin më 30 shtator të vitit 2018, ndërsa pyetja në referendum u përcaktua “A jeni për BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë”.
30 gusht – 28 shtator – Shumica parlamentare me moton “Bashkë PËR Maqedoninë Evropiane” zyrtarisht nisi fushatën për referendumin e 30 shtatorit mbi marrëveshjen e këtij vendi me Greqnë, gjatë së cilës liderë më me ndikim ndërkombëtar vizituan Maqedoninë dhe apeluan tek qytetarët që të dalin në mbështetje të referendumit, përfshirë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kancelarja gjermane, Angela Merkel, kancelari austriak, Sebastian Kurz, Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, si dhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis,
2 shtator – Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në vendkalimin kufitar Tabanoc-Preshevë paralajmëruan zbatimin e projektit për menaxhim të përbashkët kufitar “One Stop Shop”.
30 shtator – Në Maqedoni u mbajt votimi me çka qytetarët e vendit u deklaruan në referendumin konsultativ mbi çështjen për ndryshimin e emrit që është parakusht për anëtarësim të vendit në NATO dhe çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian (BE). Pyetja në refendum ishte “A jeni për NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë”, por pavarësisht asaj se 91,46 për qind votuan “për” ai nuk arriti konsensus, respektivisht jehona e votimit arriti 36,91 për qind.
20 tetor – Me një shumicë prej dy të tretave deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë miratuan propozimin për qasjen drejt ndryshimve të Kushtetutës të Republikës së Maqedonisë, me çka dy e treta apo 80 deputetë votuan “për”, ndërsa 39 ishin “kundër”. Propozimi përmbante disa pika, duke përfshirë shtesën “e Veriut” në emrin aktual të Maqedonisë, ndryshime në preambulën e Kushtetutës, garanci për kufijtë territorial të Maqedonisë, si dhe kujdes për qytetarët e Maqedonisë në diasporë dhe më gjerë.
13 nëntor – Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cili më 23 maj u dënua me dy vjet burg për furnizimin e një automjetit luksoz në vlerë prej 570 mijë euro e që duhej të vuante dënimin, në profilin e tij në Facebook njoftoi se ndodhet në Budapest dhe se ka kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze, pas së cilës e konfirmoi edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë. Një ditë pas njoftimit të tij në Facebook, policia maqedonase lëshoi flet arrest ndërkombëtar dhe kërkoi ekstradimin e e tij. Gruevski, më vonë më 20 nëntor, po ashtu në Facebook njoftoi se Hungaria është përgjigjur pozitivisht në kërkesën e tij për azil.
18 dhjetor – Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin për amnisti për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvend, kur si pasojë e dhunës së ushtruar nga qindra protestues, të cilët me forcë hyrën në godinën e Kuvendit, pësuan rreth 100 persona, përfshirë deputetë, policë dhe punonjës mediatik.
– KOSOVË
16 janar – Lideri i nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, ndërroi jetë pasi u qëllua me armë zjarri para zyrës së tij, incident pas të cilit më 20 janar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, realizoi vizitë një-ditore në Kosovë për bisedime me serbët e Kosovës në veri.
15 shkurt – Barbadosi, i cili ndodhet në rajonin e Karaibeve, njohu pavarësinë e Kosovës, duke u bërë shteti i 116-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës.
17 shkurt – Me aktivitete të ndryshme, mes të cilave perfomanca e këngëtares botërore me origjinë nga Kosova, Rita Ora, Kosova shënoi 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.
21 mars – Pas disa shtyrjesh, u mbajt seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën u votua për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Deputetët e Kuvendit të Kosovës pas katër tentimeve të pasuksesshme nga gazi lotsjellës, që u hodh nga deputetët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, me 80 vota pro e miratuan projekt-ligjin për demarkacionin me Malin e Zi.
26 mars – Policia e Kosovës angazhoi njësi relevante policore për ndalimin e vizitës së zyrtarëve serbë në Kosovë, Aleksandar Vulin dhe Marko Gjuriç, pasi që Ministria e Jashtme e Kosovës nuk kishte dhënë leje për vizitat e tyre. Më vonë, polica kosovare në Mitrovicën e Veriut arrestoi shefin e të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriç, të cilin pasi e dërguan në stacionin e policisë në Prishtinë, e larguan nga territori i vendit.
29 mars – Në bashkëpunim me inteligjencën e Kosovës, Agjencia Turke e Inteligjencës (MIT) realizoi një goditje të rëndë ndaj strukturës së Organizatës Terroriste FETO/Strukturës së Shtetit Paralel (FETO/PDY) në Kosovë, duke sjellë në Turqi gjashtë punonjës të nivelit të lartë të organizatës.
30 mars – Drejtori i inteligjencës së Kosovës, Driton Gashi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhanë dorëheqjen e tyre pasi ua kërkoi kryeministri Ramush Haradinaj, pas operacionit të Agjencisë Turke të Inteligjencës (MIT) i cili sipas kryeministrit ka ndodhur pa lejen dhe informimin e tij.
9 qershor – Ndërroi jetë legjendari i futbollit kosovar, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili një ditë më pas u varros me nderime të larta shtetërore.
24 qershor – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, zhvilluan takimin e parë të fazës përfundimtare të procesit të dialogut në Bruksel me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
18 korrik – Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, rekomandimin për të cilën e mori më 30 gusht nga Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), që funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian, i cili më 13 shtator votoi pro liberalizimit të vizave për vendin.
26 korrik – Ndërroi jetë Adem Demaçi, luftëtari për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, i cili u varros me nderime të larta shtetërore.
2 gusht – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paralajmëroi për mundësinë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, ku përmendi edhe mundësinë që Lugina e Preshëvës t’i bashkohet Kosovës.
8 shtator – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, realizoi një vizitë dyditore në Kosovë, me ç’rast vizitoi Liqenin e Ujmanit dhe katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe.
9 shtator – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tërhoqi lejen e lëshuar me të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të vizitonte fshatin Banjë në komunën e Skenderajt, pasi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe qytetarët e Skenderajt bllokuan rrugën Mitrovicë-Skenderaj.
18 tetor – Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim tre ligje për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.
19 tetor – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku zhvilloi takime të ndara me krerët shtetëror, si dhe vizitoi komunën e Prizrenit dhe atë të Mamushës.
20 nëntor – Në votimin e Asamblesë së 87-të të Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) mbi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, nuk u arrit numri i duhur i votave për t’u anëtarësuar, respektivisht dy e tretave e votave të vendeve anëtare në INTERPOL.
21 nëntor – Qeveria e Kosovës mori vendimin për të ri-imponuar taksa prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, duke përjashtuar brendet ndërkombëtare, pas lëvizjes së mëparshme të 7 nëntorit kur vendosi imponimin e taksave prej 10 për qind ndaj produkteve nga këto dy vende.
22 nëntor – Kombëtarja e Kosovës në futboll shënoi një sukses të madh në raundin e parë të Ligës së Kombeve, duke përfunduar si lidere në grupin 3 të Ligës D, ku janë pjesë edhe Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta. Më këtë Kosova kaloi në Ligën C dhe do të luajë në “Play off” në gjysmëfinale. Pas këtij suksesi, Qeveria e Kosovës ndau 500 mijë euro për përfaqësuesen kosovare.
23 nëntor – Njësia policore e Kosovës zhvilloi një aksion në veri të Mitrovicës në lidhje me vrasjen e liderit serb nga Kosova të nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, ku arrestoi katër persona të komunitetit serb, dy prej të cilëve zyrtarë policorë në veri të Mitrovicës.
27 nëntor – Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, dhanë dorëheqjen nga posti i tyre, për shkak të vendosjes së taksave prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.
3 dhjetor – Komisioneri Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, realizoi një vizitë në Kosovë, ku takoi krerët shtetëror, pas të cilës deklaroi se “taksa që Kosova ka imponuar ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nuk duhet të mbetet në fuqi”.
14 dhjetor – Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK.
– SHQIPËRI
26 mars – Shqipëria shpalli persona të padëshirueshëm dy diplomatë rusë. Vendimi erdhi pas sulmit me agjent nervor ndaj ish-spiunit rus në Britani, Sergei Skripal, ndërsa me këtë Shqipëria iu bashkua vendeve që vendosen dëbimin e diplomatëve rusë lidhur me këtë çështje.
31 mars – Qytetarë të Kukësit dhe zonave përreth protestuan pranë tunelit të Kalimashit në “Rrugën e Kombit”, duke kundërshtuar tarifën për kalimin e automjeteve, protestë e cila u shoqërua me tensione dhe plagosjen e disa punonjësve të policisë, si dhe me protesta të tjera për reduktimin e tarifave.
30 prill – Shqipëria dhe Greqia filluan zyrtarisht në Tiranë negociatat mes tyre për çështjet e hapura mes dy vendeve, me fokus bisedimet për kufizimin e zonave detare. Dy vendet mbajtën në prill raundin e parë të bisedimeve për kufizimin e zonave detare.
3 korrik – Në qytetin e Shkodrës u mbajt mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, ndërsa mes dy vendeve u nënshkruan edhe disa marrëveshje bashkëpunimi.
27 gusht – Kryeministrat e disa vendeve të rajonit u mblodhën në Durrës për takimin informal me temë “Integrimi i ekonomisë rajonale”, ndërsa në fokus të diskutimeve të tyre ishin edhe çështjet që lidhen me integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
7 shtator – Kombëtarja e Shqipërisë në Futboll fitoi me rezultatin 1-0 përballë Izraelit në ndeshjen e parë të vlefshme për UEFA Ligën e Kombeve, ndeshje e cila u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”.
14 shtator – Inaugurohet kompania e parë kombëtare e fluturimeve e Republikës së Shqipërisë, Air Albania, e krijuar në partneritet me Turkish Airlines.
17 shtator – Filloi procesi mësimor në institucionet arsimore të sistemit parauniversitar të Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri për vitin e ri shkollor 2018-2019.
4-5 tetor – Në Tiranë u mbajt Ministeriali Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor për çështjet e drejtësisë dhe punëve të brendshme.
18-19 tetor – Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me drejtues të lartë të vendit, ndërsa mori pjesë edhe në ceremoninë e hapjes së vitit të ri akademik në universitetin e Fondacionit Turk Maarif, Universitetin New York Tirana.
27 tetor – Dha dorëheqjen ministri i Punëve të Brendshme i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, i cili që prej 13 shtatorit 2017 mbante postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë.
28 tetor – Kostandinos Kaçifa, 35 vjeç, banor i minoritetit grek në Qarkun e Gjirokastrës mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë në këtë qark. Kjo ngjarje shkaktoi reagime të shumta në Shqipëri dhe Greqi.
3 nëntor – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nuk dekretoi emërimin e Sandër Lleshajt në postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë. Ky mosdekrim shkaktoi përplasje mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Presidencës së Shqipërisë, pasi kryeministri Rama e ripropozoi për dekretim përsëri Lleshajn në postin e ministrit të Brendshëm.
5 nëntor – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri më 30 qershor të vitit 2019.
8 nëntor – Në fshatin Bularat të Qarkut të Gjirokastrës u mbajt ceremonia mortore për shtetasin Kostandinos Kaçifa, i njohur si pjesëtar i minoritetit grek. Pjesë e ceremonisë së varrimit ishin edhe qindra shtetas nga Greqia, ndërsa nuk munguan as simbolet greke, por edhe thirrjet ekstremiste dhe antishqiptare.
10 nëntor – Shqipëria shpalli person të padëshirueshëm në vend, eurodeputeten Eleni Theocharous, pas pjesëmarrjes dhe deklaratave të saj në ceremoninë mortore në Qarkun e Gjirokastrës për minoritarin grek, Kostandinos Kaçifa. Ndërkohë Shqipëria shpalli edhe 52 persona me shtetësi greke të padëshiruar në vend “për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të vendit dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues”.
22 nëntor – Protesta e banorëve të Tiranës që kundërshtojnë shembjen e banesave të tyre që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe të kryeqytetit u shoqërua me tensione dhe përplasje para selisë së Kuvendit të Shqipërisë, ku mbetën të plagosur disa policë, mes tyre edhe Ina Nuka, e cila në 23 nëntor dërguar në Turqi për trajtim të specializuar mjekësor.
5 dhjetor – Studentët e universiteteve publike në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit, filluan një protestë duke kërkuar përgjysmimin e tarifave vjetore të studimeve, përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, rritjen e buxhetit për arsimin, si dhe disa kërkesa të tjera.

