Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian (PE), Rainer Wieland, tha sot në Prishtinë se ideja e ndryshimit të kufijve nuk është e mirë dhe theksoi se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, raporton Anadolu Agency (AA).
Diplomati gjerman Wieland, duke folur në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ai nuk mund të garantojë se kur do të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën, por premtoi se do të përpiqet që të mos shfaqen kritere të reja.
“Me një shumicë të madhe votash, PE vitin e kaluar votoi liberalizimin e vizave për Kosovën dhe unë do t’ju mbështes që të mos ketë kritere të reja nga ato që i keni pasur. Për fat të keq, nuk mund të premtoj kur kjo do të ndodhë, sepse ka ende disa qeveri që nuk janë bindur ta mbështesin atë”, tha Wieland.
Ai gjithashtu tha se nuk konsideron se një marrëveshje për ndryshimin e kufirit do të ishte e mirë dhe shtoi se ka qenë i lumtur kur kancelarja gjermane ka bërë të qartë se ajo nuk e konsideron ndryshimin e kufijve si një hap të mirë.
“Kjo do të kishte shumë më tepër ndikim në këtë rajon sesa në disa rajone të tjera të botës. Unë nuk mendoj se kjo është ide e mirë”, tha Wieland.
Zëvendëspresidenti i PE-së shprehu kënaqësinë që kryeministri Haradinaj ka mbështetur projektin e shkëmbimit të nxënësve në mes të Gjermanisë dhe Kosovës, i cili, siç theksoi, nxënësve mund t’ua zgjerojë horizontet dhe nga ky shkëmbim do të përfitonin edhe mësimdhënësit. Ai gjithashtu theksoi se mbështet sipërmarrësit dhe se në plan janë vizita reciproke të delegacionit nga komunat e Kosovës me delegacionin e shtetit Baden-Württemberg, nga i cili ai vjen.
Nga ana tjetër, Haradinaj tha se Wieland si zëvendëspresident i PE-së dhe përfaqësues i Partisë Kristian Demokrate gjermane, ka treguar interes për realizimin e projekteve të shumta në mes të Kosovës dhe Gjermanisë dhe se angazhimi i tij është shumë i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të Kosovës.
“Gjithashtu diskutuam çështjen e liberalizimit të vizave dhe dinamikën e mundshme. Përkrahja e Gjermanisë, përkrahja e Wieland është e rëndësishme në çështjen e liberalizimit të vizave. Ne jemi vend i vogël dhe e kemi të vështirë t’ua shpjegojmë Gjermanisë, Brukselit, të vërtetën tonë. Andaj, i kërkova Wieland ndihmën që të vazhdojë t’u tregojë të gjithëve të vërtetën e Kosovës”, tha Haradinaj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç një vit më parë në Mitrovicë, kryeministri i Kosovës tha se Qeveria Kosovës është e interesuar për të zbuluar të vërtetën, por është e vështirë të jepet një përgjigje që mund të mos jetë në Kosovë. Ai kërkoi që të gjithë ata që kanë informata të ndihmojnë në realizimin e drejtësisë.
Gjatë takimit, Wieland i dha kryeministrit të Kosovës, Haradinaj një dhuratë në formë të një mini treni, ndërsa kryeministri i Kosovës i dhuroi një hartë të artë të Kosovës, si një shenjë, siç tha ai, e rëndësisë së kufijve ekzistues.



