Ramush Haradinaj dënon ndalimin e Jakovljeviç në Merdarë

Haradinaj dënoi dhe e konsideroi si të papranueshme ndalimin e Nebojsha Jakovljeviç, këshilltarin e MPMS të Kosovës nga autoritetet serbe në kalimin kufitar Merdarë

 Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dënoi dhe e konsideroi si të papranueshme ndalimin e Nebojsha Jakovljeviç, këshilltarin e Ministrisë së Punës dhe Mirërqenies Sociale të Kosovës nga Partia e Pavarur Liberale (PPL) nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar në Merdarë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Haradinaj theksoi se “Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga pala serbe ndaj qytetarëve të Kosovës të komunitetit serb”.

“Jakovljeviç është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, anëtar i PPL-së dhe vëllai i nënkryetarit të Komunës së Obiliçit, familjen e të cilit e vizitova gjatë muajit dhjetor. Ky akt nuk është i pari dhe nuk është rast i izoluar, por është pjesë e një fushte të orkestruar të autoriteteve serbe, nëpërmjet së cilës synojnë rrezikimin e sigurisë të vendit tonë”, tha Haradinaj.

Ai theksoi se Kosova i është përkushtuar dialogut i cili do të mundësojë arritjen e marrëveshjes përfundimtare me shtetin fqinj Serbinë dhe çdo veprim që është në kundërshtim me të është i papranueshëm.

Kryeministri i Kosovës, Haradinaj u bëri thirrje zyrtarëve të BE-së dhe komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për të ndaluar “me këto veprime të vazhdueshme kundër qytetarëve kosovarë, të cilat qartë tregojnë se Serbia është përcaktuar kundër lëvizjes së lirë, frymës evropiane të bashkëpunimit dhe vlerave të përbashkëta”.