Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca ka përshëndetur dorëzimin në polici të Kelmend Balilit, i konsideruar si “Eskobar i Ballkanit”.
Në një postim në Twitter, Soreca shkruan se vendosja prapa e hekurave e Balilit është një zhvillim i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar.
“Klement Balili prapa hekurave është një zhvillim i rëndësishëm në luftën kundër bandave kriminale në Shqipëri. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës është prioritet kyç për BE-në në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian“, shprehet ambasadori Soreca.
Kelmend Balili, i shpallur në kërkim prej dy vitesh, u vetëdorëzua sot në Policinë e Tiranës pas negociatave të zhvilluara me autoritetet shqiptare.
Edhe prezenca e OSBE në Tiranë ka përshëndetur Policinë e Shtetit për arrestimin e Kelmend Balilit.
Në një deklaratë për mediat, OSBE e cilëson një hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar.
“Shohim që përpjekjet disavjeçare në luftën kundër krimit të organizuar, edhe një herë, po sjellin rezultate konkrete dhe të rëndësishme në Shqipëri. E përgëzojmë Policinë e Shtetit për arrestimin e trafikantit të akuzuar ndërkombëtar të drogës, Klement Balili. Ky është një hap tjetër i rëndësishëm në luftën e Shqipërisë kundër krimit të organizuar. Ne do të vijojmë të mbështesim përpjekjet e vendit për fuqizimin e shtetit të së drejtës”, thotë OSBE./Klan



