Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sot në Beograd,tha se shkëmbimi tregtar mes Rusisë dhe Serbisë ka arritur pothuajse dy miliardë dollarë dhe shtoi se “është shumë e këndshme që marrëdhëniet midis dy vendeve po bëhen gjithnjë e më të shumëllojshme dhe jam i kënaqur që kemi një drejtim të ri të zhvillimit të marrëdhënieve mbi të cilat do të flasim”, raporton Anadolu Agency (AA) .
Putini në fillim të takimit në një format të ngushtë me Vuçiçin tha se me presidentin e Serbisë janë në kontakt të vazhdueshëm, ku kohë më parë u takuan në Rusi, ndërsa e mban mend mirë vizitën e tij të fundit në Serbi.
Ai falënderoi të gjithë banorët e Beogradit dhe Serbisë për pritjen e ngrohtë. “Shkëmbimi jonë tregtar ka arritur pothuajse dy miliardë dollarë dhe është shumë e këndshme që marrëdhëniet tona po bëhen gjithnjë e më të shumëllojshme”, tha Putin.
Ai shtoi se të dy vendet tani kanë një drejtim të ri për zhvillimin e marrëdhënieve. “Ne do të flasim për to sot,” tha ai. Presidenti i Rusisë shprehu kënaqësinë që është në gjendje të vizitojë “vendin miqësor dhe vëllazëror” dhe të flas për atë që është bërë deri tani dhe çfarë mund të bëhet më tutje.
“I nderuar zoti president, keni bërë shumë gjatë viteve të fundit për të zhvilluar marrëdhëniet e dy vendeve dhe do të kem mundësinë që t’ju prezantoj një mirënjohje për kontributin tuaj në gjithçka që keni bërë”, tha ai duke iu referuar medaljes Aleksandar Nevski, që më vonë do t’i dorëzohet presidentit serb.
Presidenti i Serbisë theksoi se është shumë i kënaqur me bashkëpunimin tekniko-ushtarak me Rusinë, duke e falënderuar Putinin për kontributin e tij në këtë drejtim.
“Sot Serbia nuk ka probleme me borxhet, paguan të gjitha detyrimet e saj në kohë dhe është bërë një partner i besueshëm për Rusinë”, tha ai.
Ai gjithashtu falënderoi Putin për të gjithë mbështetjen që ai siguron për pavarësinë dhe ruajtjen e integritetit të Serbisë.
“Ne gjithmonë kemi mund të llogarisim në mbështetjen tuaj dhe po aq sa vendi ynë është i vogël, ju gjithmonë mund të llogarisni në mbështetjen tonë ndaj Rusisë”, tha Vuçiç.
Kjo është hera e katërt që Putin viziton Beogradin, ndërsa për herë të fundit qëndroi në Serbi në vitin 2014.
Vizita ka bërë autoritetet të ndërmarrin masat më të larta të sigurisë, ku është paraparë ndërprerja e trafikut në rrugët ku ai do të lëvizë.



