Ministri holandez i Punëve të Jashtme, Stef Blok, deklaroi se Holanda është e angazhuar dhe përkushtuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe se vendi ka bërë hapa të mëdha në shumë fusha, gjatë konferencës së mbajtur me homologun tij të Shqipërisë, Ditmir Bushati, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, u takua në Tiranë me homologun tij holandez, ndërsa në konferencën e përbashkët për mediat u fokusuan në çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Çdo proces reformash shoqërohet me sfida”
Bushati në fjalën e tij tha se është mjaft e frytshme për të diskutuar jo vetëm për bashkëpunimin dypalësh, por edhe për ecurinë e reformave të Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian.
“Ne jemi besimplotë që bashkëpunimin do ta forcojmë në të ardhmen për të përmirësuar më tej imazhin e vendit tonë, për të komunikuar më mirë ecurinë e reformave që ndërmarrim në Shqipëri edhe për opinionin publik në Holandë. Për të bashkëpunuar së bashku në mënyrë të përmbushim të gjitha detyrimet dhe të gjitha reformat që do të mundësonin fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimi Evropian. Për vendet si Shqipëria, Evropa është një ideal dhe një projekt për të gjithë gamën e reformave që vendi ynë duhet të ndërmarrë”, theksoi kryediplomati i Shqipërisë.
Në lidhje me hapjen e mundshme të negociatave për anëtarësimin vendit në BE, Bushati theksoi se Shqipëria nuk pret një trajtim të diferencuar. “Komisioni Evropian ka bërë rekomandimin, Këshilli ka vendosur në qershor një kalendar të qartë. Detyrat janë të qarta, besoj se është bërë një progres i madh për sa i përket reformave në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi. Çdo proces reformash shoqërohet gjithashtu me sfida më të mëdha. Jam shpresë plotë që Komisioni Evropian dhe vendet anëtare do t’i japin dritën e gjelbër nisjes së bisedimeve me Shqipërinë”, tha Bushati.
“Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në shumë fusha”
Ministri i Jashtëm i Holandës u shpreh se dy vendet kanë marrëdhënie shumë të forta dhe se vendi i tij ka qenë partner aktiv i Shqipërisë në shumë fusha.
“Po shikojmë që këto marrëdhënie po rriten. Shteti ligjor dhe demokracia qëndrojnë si vlera qendrore të Bashkimit Evropian dhe ne shikojmë që Qeveria e Shqipërisë është fuqimisht e dedikuar për në këtë fushë dhe po kryen hapa seriozë. Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash. Është e rëndësishme të ruhet fokusi, për reforma të tjera shtesë për të ecur më përpara në vendosjen e një historiku të qëndrueshëm dhe të pakontestueshëm për luftën kundër krimit të organizuar dhe fusha të tjera të rëndësishme”, tha kryediplomati holandez.
Tema të tjera gjatë takimit mes dy homologëve kanë përfshirë edhe fenomenin e emigrimit të shtetasve shqiptarë dhe përpjekjet e Shqipërisë për ta ndaluar këtë fenomen.
“Orvatje të tilla do të jenë të pafrytshme. Ne po e luftojmë së bashku me Shqipërinë këtë dukuri. Shqipëria ka bërë hapa të mëdha në shumë fusha, siç është reforma e gjyqësorit, përmirësimi i klimës së investimeve apo mbrojtja e të drejtave të njeriut. Holanda vazhdon të jetë e gatshme ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian dhe do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim në të ardhmen”, u shpreh Blok.
”Jemi në kontakte të ngushta me Turqinë për gazetaren holandeze”
Lidhur me deportimin e gazetares holandeze nga Turqia, Blok tha se “Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë në kontakt të ngushtë me Ministrinë Turke të Punëve Jashtme dje. Kemi ofruar edhe ne asistencën tonë gazetares në fjalë dhe vazhdojmë të jemi në kontakte të ngushta lidhur me arsyet që kanë çuar në këtë dëbim.”
Ministri Blok është takuar edhe me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.



