Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se takimet trepalëshe në kuadër të bisedimeve të Astanas rreth Sirisë, qoftë në Soçi, Ankara apo Teheran, kanë qenë takime që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit botëror, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi mes presidenti turk Erdoğan dhe atij rus, Vladimir Putin, është mbajtur në Pallatin e Kremlinit.
Në fjalimin e tij në fillim të takimit, Erdoğan tha shprehu kënaqësinë për takimin e parë kokë me kokë të parë të vitit 2019, pas takimeve të vitit 2018 që i kanë zhvilluar shpesh herë.
Ai duke treguar se në marrëdhëniet politike, ushtarake, ekonomike, tregtare dhe kulturore mes dy vendeve janë përjetuar zhvillime shumë të ndryshme, theksoi se kjo gjithashtu ka ndikuar pozitivisht në sigurinë rajonale.
Presidenti turk tha se ky solidaritet ka dhënë kontribut shumë të rëndësishëm në paqen e rajonit.
“Takimet trepalëshe në kuadër të bisedimeve të Astanas, qoftë në Soçi, Ankara apo Teheran, ishin takime që vërtet kanë tërhequr vëmendjen e opinionit botëror. Besoj se me këto takime, vazhdimi i këtij procesi do të jetë shumë i dobishëm”, u shpreh ai.
Ai pohoi se zhvillimet, në veçanti në fushën e turizmit kanë mundësuar solidarizim shumë të rëndësishëm mes popujve të të dyja vendeve.
“Zhvillimi në marrëdhëniet tona tregtare, ashtu siç e potencuat edhe ju, është në një trend të vazhdueshëm të rritjes. Natyrisht, mes nesh kemi vendosur një synim shumë të madh, të arrijmë në një vëllim tregtar prej 100 miliardë dollarë”, tregoi presidenti Erdoğan.
Ndërkohë Erdoğan gjithashtu falënderoi në rusisht Putin-in për ndjeshmërinë e treguar në aksidentin detar të ndodhur në Ngushticën e Kerçit, duke shprehur ngushëllimet e tij për të vdekurit.
– Putin: Korrim rezultatet e takimeve të shpeshta me presidentin turk
Ndërsa presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, rikujtoi se shpesh dhe rregullisht ka zhvilluar takime me Erdoğan.
“Korrim rezultate nga takimet tona të shpeshta. Vëllimi tregtar në dhjetë muajt e parë të vitit të kaluar ishte më i madh se totali i vitit 2017. Po ashtu, numri i turistëve rusë që vizitojnë Turqinë vitin e kaluar u rrit për 30 për qind në raport me një vit më parë dhe arriti rekord prej gjashtë milionësh. Kjo në të njëjtën kohë forcon lidhjet mes popujve tanë”, tha Putin.
Presidenti rus tha se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë zhvillohen me shpejtësi.
“Arritja e marrëdhënieve mes vendeve tona në këtë nivel ka ndodhur me kontributin tuaj, i nderuar president, miku im Erdoğan. E dimë se sa rëndësi dhe kontribut i keni dhënë zhvillimit të raporteve tona”, shtoi Putin.
Duke folur për projektet mes dy vendeve, Putin tha se Rusia dhe Turqia janë duke i vazhduar projektet e mëdha strategjike.
“Po ashtu, vazhdojnë aktivitetet tona intensive edhe në çështjet e sigurisë dhe ato rajonale”, theksoi presidenti i Rusisë Putin.
Putin foli edhe në lidhje me aksidentin që ndodhi në Ngushticën e Kerçit me djegien e dy anijeve dy ditë më parë, duke thënë se katastrofa ndodhi përkundër marrjes së të gjitha masave nga ana e autoriteteve.
Në Ngushticën e Kerçit më 21 shpërtheu zjarr mes anijeve “Maestro” dhe “Candy” me flamuj të Tanzanisë gjatë mbushjes me karburant, me çka 14 persona humbën jetën, ndërsa 12 të tjerë u shpëtuan.
Dy liderët në takim përveç marrëdhënieve Turqi-Rusi do të trajtojnë disa çështje rajonale dhe ndërkombëtare përfshirë edhe Sirinë.


