Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Turqisë i angazhuar për çështje evropiane, Faruk Kaymakcı, ka deklaruar se anëtarësimi i vendit të tij në Bashkimin Evropian (BE) do ta bëjë bllokun një fuqi globale, raporton Anadolu Agency (AA).
“Anëtarësimi i Turqisë do të ndikojë në mënyrë serioze dhe do ta formësojë BE-në. Po ashtu, Turqia do t’i japë BE-së shumë gjëra që vendet tjera anëtare nuk mund ta bëjnë”, tha Kaymakcı, kryediplomati i angazhuar për çështjet evropiane të vendit.
Sipas tij, Turqia është vendi që do të japë kontributin më të madh në BE për t’u bërë fuqi globale në fushat e energjisë, politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.
Që nga koha kur një grup vendesh u bashkuan me BE-në në vitet 2004-2007, tha Kaymakcı, çështje të tilla si migrimi, siguria dhe Brexit e kanë bërë BE-në të ngadalësojë procesin e zgjerimit, veçanërisht që nga viti 2014.
“Megjithatë, anëtarësimi i Turqisë do ta bëjë BE-në një fuqi globale”, u shpreh ai.
Kaymakcı tha se Turqia në aspektin ekonomik, politik dhe kulturor është pjesë e kontinentit evropian, duke shtuar se, “Është e paimagjinueshme që Turqia nuk është e përfshirë në BE”.
Ai theksoi se kur Turqia dhe BE të punojnë së bashku, nuk do të ketë probleme që nuk mund të tejkalohen.
Turqia aplikoi për anëtarësimin në BE në vitin 1987 dhe bisedimet e pranimit filluan në vitin 2005. Megjithatë, negociatat kanë ngecur nga viti 2007 për shkak të kundërshtimit të administratës greke qiproite në ishullin e ndarë të Qipros, si dhe kundërshtimit nga Gjermania dhe Franca.


