Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, priti në një takim komandantin e Komandës Ajrore të NATO-s, gjeneralin Tod Wolters, i cili ndodhet në Tiranë në një vizitë zyrtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Vizita e tij vjen në kuadër të fillimit të zbatimit të paketës së NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës, ku pritet të realizohet një investim prej mbi 50 milionë eurosh.
Wolters fillimisht u prit me një ceremoni zyrtare nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.
Ndërkohë, pas takimit, Xhaçka dhe Wolters mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku Xhaçka theksoi se Shqipëria është një vend i sigurt, ku Aleanca do të investojë kapacitetet e saj.
“Baza Ajrore e Kuçovës do të jetë shumë shpejt një bazë e NATO-s, një projekt sa ambicioz, aq edhe i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por mbi të gjitha për sigurinë rajonale. Ministria e Mbrojtjes ka autorizuar agjencinë e NATO-s për Prokurimet dhe Mbështetjen (NSPA) për hartimin e masterplanit për Bazën e Kuçovës, sipas standardeve të kërkuara nga Aleanca. Masterplani do të jetë gati pas disa muajsh, duke i hapur rrugë sa më shpejt punimeve në terren”, tha Xhaçka.
Sipas saj, vizita e gjeneralit Wolters është një dëshmi e qartë e vëmendjes së vazhdueshme të Aleancës dhe SHBA-së për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Këto zhvillime në Aleancën e Atlantikut të Veriut rrisin besimin, por edhe përgjegjësinë për të vazhduar me maturi angazhimin e vendit tonë në arkitekturën e sigurisë së rajonit”, deklaroi Xhaçka.
Ndërsa komandanti i Komandës Ajrore të NATO-s, gjenerali Tod Wolters, në fjalën e tij në konferencë tha se është bërë një punë shumë e mirë në Bazën Ajrore të Kuçovës dhe do të vazhdojë përmirësimi i infrastrukturës së saj.
“Do të ketë një ekip ajror që do t’i bashkohet dhe qëllimi ynë do të jetë vetëm ecja përpara”, tha Wolters.
Duke folur për angazhimin e Shqipërisë në Aleancë, Wolters theksoi se Shqipëria ka dhënë kontributin e saj për NATO-n.
“Forcat e saj kanë ndihmuar dhe kanë bërë gjithë përpjekjen e tyre për NATO-n. Paqja që ju jepni në territor është shumë e rëndësishme për Aleancën e NATO-s. Përpjekjet tuaja drejt paqes janë shumë të rëndësishme. Përpjekjet tuaja kanë qenë të mëdha dhe faleminderit për gjithçka keni bërë për ne”, përfundoi Wolters.
Gjatë ceremonisë së pritjes u realizua fluturimi mbi Tiranë i avionëve të NATO-s.



