Senati hedh poshtë projektligjet, vazhdon bllokada e qeverisë amerikane

Projektligjet e propozuara nga republikanët u refuzuan me 51 vota “kundër” dhe 47 vota “për", ndërsa projektligji i demokratëve u refuzua me 52 vota “kundër" dhe 44 vota "pro"

Senati amerikan ka hedhur poshtë projektligjet të cilat do të zhbllokonin qeverinë amerikane, me çka bllokada vazhdon pa një zgjidhje në horizont,  raporton Anadolu Agency (AA).

Projektligjet e propozuara nga republikanët u refuzuan me 51 vota “kundër” dhe 47 vota “për”, ndërsa projektligji i demokratëve u refuzua me 52 vota “kundër” dhe 44 vota “për”.

Ndryshe, që një ligj të miratohet, nevojiten 60 vota.

Bllokada e qeverisë amerikane tashmë ka hyrë në ditën e 35-të, ku si pasojë 800.000 zyrtarë publikë janë detyruar të bëjnë punë pa pagesë ose të shkojnë në pushime të papaguara.

Mbyllja e përkohshme është rrjedhojë e kërkesës së Trumpit për fonde për ndërtimin e një muri në kufirin amerikano-meksikan.

Bllokada më e gjatë e qeverisë mund të vazhdojë ende, pasi nuk ka tregues se Trump dhe demokratët janë të gatshëm për marrëveshje dhe miratimin e një buxheti të kompromisit.