“Fantazma” fitoi 30 mln euro. Agjencia e Prokurimeve: DH Albania, adresë false

“DH Albania”, kompania që fitoi 30 milionë euro tendera publikë në dy muaj, ka qenë fantazme duke mos pasur as adresë fizike.

“DH Albania”, kompania që fitoi 30 milionë euro tendera publikë në dy muaj, ka qenë fantazme duke mos pasur as adresë fizike.

Agjencia e Prokurimit Publik zbulon se adresa, që kompania ka shënuar në dokumentet e tenderave dhe ato të regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ka qenë false dhe nuk ekziston.

Pas shpërthimit të skandalit me falsifikimin e firmës së Sekretarit amerikan të Shtetit, në Delaëare, Agjencia e Prokurimeve Publike ka marrë vendim për të përjashtuar kompaninë nga tenderat publikë dhe koncesionet. Ky vendim i është përcjellë Postës Shqiptare për ta dorëzuar në adresën e kompanisë.

Por, Posta thotë se nuk ka mundur ta dorëzojë shkresën, pasi adresa e kompanisë rezulton e panjohur. Kjo e thellon edhe më shumë skandalin, sesi një kompani fantazmë, e cila ka ekzistuar vetëm në letra, ka arritur të fitojë 30 milionë euro tendera publikë.

Çështja e “DH Albania” është tashmë nën hetim nga Prokuroria. Organi i akuzës ka marrë në pyetje ish-drejtorët e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit, ndërkohë që gjykata ka nxjerrë urdhërarresti për Avdjol Dobin, administratorin e “DH Albania” tashmë në arrati.