Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e ligjshmërisë në pajisjen e zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, me “certifikatë të sigurisë” nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit te Klasifikuar (DSIK), raporton Anadolu Agency (AA).
Komisioni i cili u miratua me 78 vota pro do të hetojë ligjshmërinë e veprimeve të institucioneve shtetërore në pajisjen e Gent Cakajt me certifikatë sigurie dhe zbatimit të ligjit për administrimin dhe përpunimin e informacioneve pa qenë i pajisur më parë me këtë dokument në postin si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Në fjalën e tij në seancë, lidhur me kërkesën e dërguar fillimisht nga presidenti i vendit, Ilir Meta, kërkesë e cila u mbështet nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), Taulant Balla, tha se sa herë që të kërkohen komisione hetimore do të miratohen.
“Komisioni hetimor, është një prej mekanizmave që Kuvendi ka për të verifikuar implementimin e ligjit në çdo fushë, të funksionojë normalisht dhe në fund të kemi një raport. Nuk po e paragjykoj. E gjithë procedura e ndjekur nga të gjitha institucionet hetimore për këtë rast është e qartë. Është e tëra në zbatim të ligjit. Në projektvendim është thënë qartë që anëtarët e komisionit hetimor nga të dyja palët duhet të pajisen me certifikatë sigurie të nivelit sekret, sepse kemi të bëjmë me një komision hetimor që do të administrojë dokumentacione të klasifikuara”, deklaroi Balla.
Opozita bojkotoi seancën parlamentare dhe nuk mori pjesë në votimin e komisionit hetimor për rastin e Gent Cakajt.
Kujtojmë se presidenti Meta, refuzoi propozimin për emërimin e Gent Cakaj, në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, duke renditur disa arsye. Sipas Metës, Cakaj nuk i plotësonte kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës së ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Meta gjithashtu pretendoi se procesi i “certifikimit të sigurisë” për Cakajn i kryer nga DSIK brenda një dite “duket hapur që është një proces i kryer në kushtet e urgjencës, dhe në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat ligjore”.
Pas refuzimit, Meta dekretoi emërimin e kryeministrit të vendit, Edi Rama, edhe në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, por Rama i delegoi drejtimin e këtij institucioni zëvendësministrit të MEPJ-së, Gent Cakaj.
Gjatë seancës së sotme Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar edhe dekretin e presidentit Meta për kandidaturën e Bahri Shaqirit për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë.



