Katër persona janë arrestuar dhe tetë të tjerë ndodhen në arrest shtëpie pasi janë nën hetim për disa tendera të kryera në Ministrinë e Drejtësisë në periudhën kohore 2016-2017.
Dymbëdhjetë të dyshuarit po hetohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Po hetohen konkretisht 5 raste të tilla, që janë tenderi për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen e ICMIS në 7 Gjykata Administrative, tenderi për përmirësimin e sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale, tenderi për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e Regjistrit Noterial Shqiptar, tenderi për sistemin e monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë-Krujës, si dhe tenderi për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit.
Katër personat që janë lënë në burg janë ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë Juliana Hoxha, drejtori i shërbimeve mbështetëse Aurel Lamçe dhe dy specialistët e IT, L.Ali dhe A.Alikaj.
Shkeljet janë evidentuar nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave, ndërsa hetimet po zhvillohen nga Prokuroria e Tiranës. Disa nga sistemet e këtyre tenderave nuk janë aspak funksionale dhe i kanë shkaktuar shtetit dëm të madh në buxhet./TVKlan



