Maqedonia nënshkruan Protokolin për anëtarësimin në NATO

Në fjalimin e tij para ceremonisë, Stoltenberg tha se ky është “një moment historik”, duke shtuar se, “Pritëm një kohë të gjatë që ju të jeni pjesë e familjes sonë”

Maqedonia e cila tejkaloi mosmarrëveshjen 28-vjeçare rreth emrit me Greqinë, ka nënshkruar protokolin për anëtarësimin në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

Ceremonia e nënshkrimit u organizua në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, ku në emër të Maqedonisë protokolin e nënshkroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov. Në ceremoni gjithashtu morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe përfaqësuesit e përhershëm të 29 aleatëve.

Pas nënshkrimit të protokolit, Stoltenberg kryediplomatit Dimitrov ia dhuroi lapsin me të cilën të gjithë përfaqësuesit e përhershëm nënshkruan prokolin.

Për anëtarësim e plotë të Maqedonisë në NATO, të gjithë parlamentet e vendeve anëtare duhet ta ratifikojnë protokolin e anëtarësimit dhe të përfundojnë disa procese.

Gjatë kësaj periudhe Maqedonia do të marrë pjesë në mbledhjet e NATO-s si i ftuar.

Nga ana tjetër, sipas Marrëveshjes së Prespës e nënshkruar mes Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit, pasi Athina do ta nënshkruaj dhe ratifikojë protokolin e anëtarësimit, emri i vendit do të ndryshohet zyrtarisht në Maqedonia e Veriut.

Në samitin e vitit të kaluar në Bruksel, NATO i dërgoi Maqedonisë ftesë për anëtarësim.

“Moment historik”

Në fjalimin e tij para ceremonisë, Stoltenberg tha se ky është “një moment historik”, duke shtuar se, “Pritëm një kohë të gjatë që ju të jeni pjesë e familjes sonë”.

Ndërsa Dimitrov falënderoi kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe atë të grek, Alexis Tsipras, për mundin e tyre në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit.