Shqetësimi amerikan mbi blerjen e Turqisë të sistemit të mbrojtjes raketore S-400 nga Rusia është politik, thotë Celal Sami Tüfekçi, nënkryetar i Nënsekretariatit të Turqisë për Industrinë e Mbrojtjes.
Ai rikujtoi propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për t’i shitur Turqisë sistemin e mbrojtjes raketore dhe nga ajri, Patriot, me vlerë 3.5 miliardë dollarë që e bëri në janar të këtij viti.
“Marrëveshja jonë që kemi bërë për S-400 daton nga më herët”, tha Tufekci në një prononcim për Anadolu Agency (AA) pas një paneli në Uashington.
“Ne biseduam jo vetëm me Rusinë dhe SHBA-të, por edhe me shumë vende tjera evropiane. Besoj se SHBA-të shprehin shqetësimin e tyre që është i motivuar politikisht. Besoj se këto shqetësime janë argumentet të cilat janë përdorur kundër Turqisë”, tha ai.
Ankaraja tashmë po planifikon të blejë nga SHBA-të 100 avionë luftarakë F-35, për çka është në pritje të një vendimi të Kongresit. Tridhjetë avionë luftarakë tashmë janë miratuar për blerje.
Megjithatë, Uashingtoni ka shprehur skepticizmin e tij për blerjen e Turqisë të sistemit S-400, duke thënë se ky sistem mund të marrë informacione konfidenciale të avionëve luftarakë, përfshirë edhe distancën për të qenë të zbuluar si dhe mënyrën e operimit.
Tufekci refuzoi pohimet se informacioni mbi programet e avionëve luftarakë do të mund të merrej nga sistemi raketor rus, pasi siç tha, avionët amerikanë dhe izraelitë F-35 fluturojnë lehtë mbi Sirinë ku radarët rusë janë aktivë.
“Teknikisht, gjithçka është e mundur, por Turqia do të përdorë softuerin e vet të brendshëm. Ne jemi një vend miqësor me SHBA-të”, tha ai duke u zotuar se Turqia nuk do të lejonte të dalë ndonjë informacion mbi avionët F-35.
Turqia ka kohë që përpiqet të blejë nga SHBA-të sistemin e mbrojtjes ajrore, dhe pas dështimit, në vitin 2017 Ankaraja vendosi të blejë sistemin e mbrojtjes ajrore ruse S-400.



