Rusia: SHBA shkel Kartën e OKB-së duke kërcënuar Venezuelën

“Në qytetin Cucuta, në zonën kufitare me Venezuelën, vendoset posti komandues i të ashtuquajturit ‘operacion humanitar’”, theksoi Zakharova

 Zëdhënësja e Ministrisë ruse të Punëve të Jashtme, Maria Zakharova, ka deklaruar se duke kërcënuar Venezuelën me ndërhyrje ushtarake SHBA-të drejtpërsëdrejti shkelin Kartën e Kombeve të Bashkuara (OKB), raporton Anadolu Agency (AA).

“Sipas nenit 2, pikës 4 të Kartës së OKB-së, të gjithë anëtarët e OKB-së duhet të përmbahen në marrëdhëniet e tyre ndërkombëtare nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të ndonjë shteti ose në ndonjë mënyrë tjetër në kundërshtim me qëllimet e OKB-së”, tha Zakharova në një konferencë për media në Moskë.

Zakharova tha se aktivitetet ushtarake të SHBA-ve në qytetin Cucuta të Kolumbisë tregojnë shenja se Ëashingtoni po përgatitet për një grusht shteti ushtarak.

“Në qytetin Cucuta, në zonën kufitare me Venezuelën, vendoset posti komandues i të ashtuquajturit ‘operacion humanitar’. Bazuar në aktivitetet e delegacioneve ushtarake të SHBA-ve, që kohët e fundit kanë përmbytur rajonin, një studim i detajuar i mbështetjes së përgjithshme të skenarit të dhunës në Venezuelë po kryhet atje”, theksoi Zakharova.

Venezuela është tronditur nga protesta që nga 10 janari kur presidenti Nicolas Maduro u betua për mandatin e dytë pas një votimi të bojkotuar nga opozita.

Tensionet u rritën më 23 janar kur kreu i opozitës, Juan Guaido, u vetëshpall president i përkohshëm i Venezuelës, një veprim i cili u mbështet nga SHBA-të dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.

Nga ana tjetër, Rusia, Turqia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika kanë mbështetur presidentin Maduro.