Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka iu bashkua vullnetit të partive opozitare, për të vendosur “djegien” e mandateve parlamentare.
I ftuar në emisionin Top Show, Duka pranoi se nuk ishte mbështetës i idesë së djegies së mandateve, por theksoi se iu bashkua nismës së opozitës, pasi nuk i shërben më për asgjë mandati aktual.
“Ka një marrëveshje të hershme midis partive të mëdha, përfshirë edhe LSI-në, për Kodin Zgjedhor, duke lindur këto parlamente që për mua janë të dobëta dhe u japin pushtet pa limit kryetarëve. Patjetër duhet reformuar kodi. Unë kam qenë kundër djegies së mandateve, por çfarë do bëj unë në parlament?”, tha Duka, shrkuan Top Channel.
Sa i përket diskutimit të zgjidhjes së çështjes, kreu i PAA-së kërkon që të shtyhet procesi zgjedhor dhe zgjedhjet lokale të bëhen bashkë me ato parlamentare, por pasi të jetë bërë reformë zgjedhore.
“Unë mendoj që të shtyhen zgjedhjet dhe të bëhen zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare bashkë. Ky parlament është ilegjitim dhe nuk mund të vazhdojë më. Zgjedhjet në Durrës u vodhën, e them me bindje të plotë. Kështu duke vjedhur votat nuk vazhdohet më”, tha Duka.
“Të gjithë e dimë se votuesit në zgjedhje, votojnë për partitë dhe jo për individët, por tani na rezulton që mandati është personal. Si mund të jetë mandati personal, kur në asnjë moment zgjedhësit nuk votojnë për individin, por vetëm për partitë politike? Kjo është jo morale dhe paradoksale”, tha Duka.
Kreu i PAA-së vijoi edhe më tej argumentin e tij, duke theksuar se ky Kod mbrohet fuqimisht nga tre partitë e mëdha, pasi shërben për konsolidimin e tyre, por që ka prodhuar një parlament shumë të dobët në vend.
“E vërteta është që të tre partitë e mëdha, e mbrojnë me fanatizëm këtë kod. Rama e quan si perfekt, ndërsa dy palët e tjera heshtin kur diskutohet nëse është më mirë mazhoritari apo proporcionali. Unë mendoj se duhet një sistem mazhoritar, ku vetë kandidatët të përballen me njëri-tjetrin në zgjedhje. Vetëm prej sistemit aktual zgjedhor, ne sot jemi para një fakti “ulëritës”, pasi kemi më tepër se 50 % të deputetëve në parlament, që nuk kanë arsimin e duhur dhe nuk dinë të lidhin dy fjalë”, theksoi Agron Duka.



