Hetimet ndaj FETO-s në Turqi, urdhër për arrestimin e 295 ushtarakëve

Prokurorët e Stambollit lëshuan fletarrestime për ushtarakë aktivë, të dyshuar për komunikim me pjesëtarët e FETO-s përmes kabinave telefonike dhe linjave shtëpiake

Prokuroria e Turqisë ka lëshuar urdhër për arrestimin e 295 ushtarëve aktiv të ndërlidhur me organizatën terroriste FETO, e cila qëndron prapa grusht shtetit të dështuar të vitit 2016, theksoi një burim anonim nga gjyqësori, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të hetimit për infiltrimin e organizatës në ushtrinë turke, prokurorët e Stambollit lëshuan fletarrestime për ushtarakë aktiv, të dyshuar për komunikim me pjesëtarët e FETO-s përmes kabinave telefonike dhe linjave shtëpiake, theksoi burimi. Ai shtoi se në mesin e të dyshuarve gjenden persona të rangut të lartë, prej të cilëve tetë janë majorë.

Organizata terroriste FETO, të cilën e udhëheq Fetullah Gulen, i bazuar në SHBA, ekstradimin e të cilit formalisht e kërkon Turqia, është përgjegjëse për grusht shtetin e përgjakshëm në Turqi në mbrëmjen e 15 korrikut.

Pjesëtarët e organizatës terroriste me vite duke mashtruar me provimet kanë avancuar në shërbimet duke infiltruar në këtë mënyrë në institucionet e shtetit. Më pas, në dhjetor të vitit 2013, anëtarët e FETO-s në gjyqësorin e Turqisë u përpoqën të ndjekin penalisht një numër të zyrtarëve të lartë përmes një procesi të kurdisur për korrupsion të pretenduar.

Disa vite më vonë vijoi edhe përpjekja e përgjakshme e terroristëve të FETO-s kur më 15 korrik, oficerë në ushtrinë turke besnikë të kësaj organizate terroriste tentuan grusht shteti.

Hetimi lidhur me organizatën terroriste FETO tregoi se bëhet fjalë për një rrjet global që nuk paraqet rrezik vetëm për Turqinë, por edhe për çdo vend tjetër në të cilën është aktive, ndërsa për këtë disa herë kanë treguar edhe zyrtarët turq. Gjatë tentimit për grusht shteti në Turqi kanë humbur jetën 251 persona, ndërsa janë plagosur më shumë se 2.000 të tjerë.