Parlamenti Europian sjell nesër në Tiranë një grup eurodeputetësh që do të zhvillojë takime mes palëve për të zgjidhur ngërçin pas djegies së mandateve nga opozita.
Njëri prej tyre, eurodeputeti Kristian Dan Preda thotë në një intervistë për Tv Klan se akti i opozitës ka provokuar një krizë të thellë që mund të rrezikojë të ardhmen proceseve integruese.
“Shumë shpesh ka bojkot të parlamentit dhe tani ka një vendim ekstrem të opozitës në Shqipëri që ka lënë mandatet parlamentare, një xhest shumë i fortë. Personalisht mendoj se kultura parlamentare kërkon një prezencën të opozitës. Të zgjedhurit kanë përgjegjësi për mandatin, është vullneti i popullit që duhet respektuar. Por nuk ka parti të opozitës, që bojkotojnë apo marrin një vendim të tillë, pa iu referuar karakterit të një situate të jashtëzakonshme në vend.
Interesi i Shqipërisë është që të mos humbasë këtë rast të hapjes së negociatave. Ka rrezik që opozita të stigmatizohet si bllokuese dhe është për të ardhur keq, sepse e di që deputetët e opozitës janë pro europianë. Dhe nga ana tjetër, ekziston rreziku që pushteti të bëhet edhe më i fortë se çështë sot. Pra një devijim autoritar, që është një pengesë edhe më e madhe lidhur me hapjen e negociatave e të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Pra unë si mik i popullit shqiptar do të isha shumë i trishtuar të shoh që kjo ndarje totale e qeverisë me opozitën, rrezikon të bllokojë hapjen e negociatave”.

