Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, tha se kanë vendosur që mos të nënshkruajnë ndonjë marrëveshje me Korenë e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Trump, zhvilloi një konferencë shtypi pasi nuk u arrit marrëveshje në samitin e dytë të tij me liderin verikorean, Kim Jong-un, në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi.
“Vendosëm mos të nënshkruajmë ndonjë marrëveshje me Korenë e Veriut”, u shpreh presidenti amerikan, duke treguar se sanksionet ndaj këtij vendi do të vazhdojnë tani për tani.
Ai tha se lideri i Koresë së Veriut, Kim, ka premtuar se nuk do të realizojnë testime bërthamore dhe raketore.
– Sanders: Do të vazhdojnë bisedimet
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, njoftoi se nuk është arritur marrëveshje në bisedimet mes presidentit Trump dhe liderit verikorean Kim, por të dyja vendet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen bisedimet.
Ajo theksoi se Trump dhe Kim kanë biseduar mbi pastrimin e Gadishullit Korean nga armët bërthamore. “Tani për tani nuk u arrit një marrëveshje por përfaqësuesit e vendeve presin me padurim që të takohen në të ardhmen”, u shpreh ajo.
Sanders, takimin mes dy liderëve e përshkroi si “shumë të mirë dhe konstruktive”.
Trump dhe Kim janë ndarë nga hoteli ku zhvilloheshin bisedimet më herët nga koha e planifikuar dhe ceremonia e nënshkrimit është anuluar.![]()


