Kushner dhe bin Salman takohen në Arabinë Saudite

Palët diskutuan bashkëpunimin midis Riadit dhe Washingtonit, përpjekjet për të krijuar paqe mes palestinezëve dhe izraelitëve, si dhe investimet ekonomike në rajon

Jared Kushner, këshilltari dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, ka takuar në Arabinë Saudite princin e kurorës, Mohammed bin Salman, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ky takim është i pari pas vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Kushner është pjesë e delegacionit i cili aktualisht është në një turne shtatëditor në Lindjen e Mesme, që përbëhet nga përfaqësuesi i posaçëm për negociatat ndërkombëtare, Jason Greenblatt dhe përfaqësuesi i posaçëm për Iranin, Brian Hook.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Kushner dhe delegacioni amerikan është takuar me princin saudit dhe babain e tij, mbretin Salman bin Abdulaziz al-Saud, ku diskutuan bashkëpunimin midis Riadit dhe Washingtonit, përpjekjet për të krijuar paqe mes palestinezëve dhe izraelitëve, si dhe investimet ekonomike në rajon.

Thuhet se turneu i Kushner-it ka për qëllim të njoftoj aleatët rajonalë të SHBA-ve për të ashtuquajturën “marrëveshje të shekullit” të presidentit amerikan, Donald Turmp, një plan dytësor për të arritur një zgjidhje paqësore mes palestinezëve dhe izraelitëve.

Udhëtimi i delegacionit vjen në mes të shqetësimeve në rritje midis ligjvënësve amerikan, për shkak të mungesës së përgjigjes nga administrata e Trump-it mbi vrasjen e gazetarit saudit, Khashoggi. Më herët këtë muaj, Trump refuzoi të dërgoj raport në Kongres lidhur me atë se kush ishte përgjegjës për vrasjen e Khashoggi-t.

Më 2 tetor të vitit të kalaur, Khashoggi u vra brutalisht brenda Konsullatës Saudite në Stamboll pak pasi hyri në godinën diplomatike. Riadi fillimisht mohoi ndonjë rol në vrasjen e gazetarit saudit dhe më vonë përgjegjësinë e vrasjes e hodhi mbi një operacion të kryer nga agjentë mashtrues.

Në muajin nëntor, The Washington Post raportoi se Agjencia Qendrore e Intelegjencës (CIA) me besim të lartë konkludoj se princi i kurorës saudite urdhëroi vrasjen e Khashoggi-t.

Megjithatë, Trump dhe administrata e tij vazhdimisht janë shmangur nga hedhja e ndonjë faji mbi princin e kurorës.