Gratë janë çelësi për lirimin e potencialit ekonomik të rajonit tonë, thuhet në porosinë e Majlinda Bregut, sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (KBR) me seli në Sarajevë, me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, raporton Anadolu Agency (AA).
“Gratë akoma luftojnë ashpër për të arritur sigurinë ekonomike. Është e vërtetë se në krahasim me burrat, gratë në përqindje më të madhe mbarojnë fakultetet, megjithatë vetëm 2 nga 5 gra në Ballkanin Perëndimor kanë ose kërkojnë punë. Për çdo vit, nga shkaku i dallimeve gjinore në tregun e punës, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor mesatarisht humbasin 18 për qind të PBV-së, që është më shumë se BPV-ja e Serbisë. Shkalla e punësimit të grave bë rajon është 43.2 për qind”, thotë Bregu.
Ajo beson se investimi në aftësitë menaxheriale të vajzave është një gjë e domosdoshme, por kjo duhet të shoqërohet me investime ekonomike dhe sociale për përmirësimin e ambientit shoqëror.
“Kjo nuk duhet të konsiderohet një gjë dytësore. Ndihma për gratë e rajonit për të përfituar ose përmirësuar aftësitë si dhe të përshtaten ambientit të punës po ndryshon me shpejtësi, ndërsa ndihma që të përfitojnë nga zhvillimi teknologjik paraqet një sfidë të vërtetë për ne. Kemi nevojë për gra të cilat përfitojnë aftësi dhe përvoja në rolet teknike dhe operative në kompanitë. E kemi patjetër të mendojmë për rikualifikimin e grave punëtore në mënyrë që të kemi një fuqi punëtore të orientuar kah e ardhmja”, thotë Bregu në mesazhin e saj, ku nënvizon nevojën për edukimin financiar të grave dhe ndihmën për të promovuar bizneset e tyre.
Ajo shton se fushata “WE” (NE) është “mesazhi ynë i sotëm për gruan, sepse siç thotë, në anglisht me shkronjën W fillojnë fjalët siç janë gratë (women), puna (work), pasuria (wealth), bota (world), brenga (worrysome), mrekullia (wonderfull), ndërsa me shkronjën E, Evropa (Europe), forcimi ekonomik (economic empowerment), sipërmarrësia (entrepreneurship), fitimi (earnings), mundi (efforts), por madje edhe llajneri për sytë (eyeliner).
“Prandaj, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal ndërmori nismën për të përmirësuar situatën, në mënyrë që gratë e rajonit të forcohen dhe idetë dhe bizneset e tyre të bëhet konkurruese në treg”, thonë nga KBR.



