Ana Brnabiç: Serbia me maturi do të reagojë ndaj platformës së Prishtinës

Sipas kryeministres së Serbisë kjo platformë negociuese është "goditja e tretë dhe përfundimtare e dialogut" pasi ka shmangur formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe vendosjen e taksave për mallrat nga Serbia dhe BeH

Reagimi i Serbisë ndaj platformës negociuese të Prishtinës do të matet në interes të qytetarëve tanë, tha sot kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas saj, kjo platformë negociuese është “goditja e tretë dhe përfundimtare e dialogut” pasi ka shmangur formimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe vendosjen e taksave për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si dhe “një dokument kundër çdo kompromisi dhe dialogu, në kundërshtim me arsyen e shëndosh”.

“Reagimi i Serbisë do të matet edhe në interes të qytetarëve tanë,” tha Brnabiç.

Kryeministrja e Serbisë njoftoi se kreu më i lartë shtetëror të dielën do të marrë në konsideratë situatën e sapokrijuar pas miratimit të platformës në Prishtinë me prijësin e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) patriarkun Irinej dhe Sinodin e KOS-it.

Në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç, ministrja e Drejtësisë, Nela Kuburovic, kryeshefi i Shtatmadhorisë së Serbisë, Milan Mojsiloviç dhe drejtori i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë, Bratislav Gashiç.

Kuvendi i Kosovës dje miratoi platformën e cila parasheh njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë brenda kufijve ekzistues.