Drejtori i Policisë së Zelandës së Re, Mike Bush ka thënë se ekziston mundësia që terroristi që vrau 50 persona në sulmet në dy xhamitë në Christchurch, të ketë planifikuar edhe një sulm, raporton Anadolu Agency (AA).
Bush ka thënë se ekziston mundësi e madhe që efektivët e policisë të kenë kapur sulmuesin në rrugë për të kryer sulm të ri.
Megjithatë, duke theksuar faktin se hetimet janë në vijim, ai nuk deshi të zbulojë detaje shtesë, por tha se me kapjen e terroristit u parandalua humbje më e madhe e jetëve të njerëzve.
Ai sqaroi se në drejtim të ndihmës gjatë hetimeve në Zelandën e Re ka udhëtuar një ekip i zyrtarëve të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI).
Policia e Zelandës së Re publikoi identitetin e 5 viktimave të sulmit. Viktimat e sulmit të cilët u identifikuan janë Hati Mohemmed Daoud Nabi (71), Mohsen Mohammed Al Harbi (63), Junaid Ismail (36), Mucaad Ibrahim (3) dhe Kamel Moh’d Kamal Kamel Darwish (38).
Policia tha se 21 trupa të viktimave u janë dorëzuar familjeve.
Në sulmet terroriste në xhaminë Al-Noor dhe Linwood në Chiristchurch të kryer më 15 mars 2019 u vranë 50 persona.



