“Kemi admirim të madh për Turqinë”

"Kemi admirim për Turqinë. Biznesmenët turq punojnë në mënyrë proaktive në çdo fushë dhe zhvillohen në vazhdimësi", tha presidenti i Burkina Fasos, Roch Marc Christian Kabore

Presidenti i Burkina Fasos, Roch Marc Christian Kabore, tha se ndiejnë admirim për Turqinë dhe lavdëroi punën e biznesmenëve turq, duke e cilësuar si tejet të rëndësishëm zhvillimin e marrëdhënieve të vendit të tij me Ankaranë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Forumin e Bzinesit Turqi-Burkina Faso të organizuar nga Këshilli i Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK), Kabore tha se vizita e tij në Turqi është e rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ekonomike dhe zhvillimin e raporteve në nivel shtetëror.

Kabore tha se vendi i tij ofron mundësi të shumta për firmat turke në aspektin e biznesit dhe investimeve, duke sinjalizuar partneritete në fusha të ndryshme.

“Kemi admirim për Turqinë. Biznesmenët turq punojnë në mënyrë proaktive në çdo fushë dhe zhvillohen në vazhdimësi. Në kuadër të forumit të sotëm, mendojmë të përfitojmë në mënyrën më të mirë nga takimet e biznesit B2B”, tha Kabore.

“Në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, Burkina Faso do të jetë gjithnjë në anën e biznesmenëve turq dhe do ta vazhdojë mbështetjen…Së shpejti, ne do të vazhdojmë të bëjmë hapa reciprokë për zhvillimin e bashkëpunimit me Turqinë”, shtoi presidenti i Burkina Fasos.

Ndërkaq, kryetari i DEIK, Nail Olpak, e cilësoi Burkina Fason si një vend mik në fushën e investimeve.

“Turqia dhe DEIK, si organizatë me këshille të biznesit në 45 nga 54 shtete të Afrikës, konsiderojnë se kjo tregti nuk është e mjaftueshme për ne, por në të njëjtën kohë, kur i vlerësojmë mundësitë e ofruara, inkurajimet, avantazhet tarifore, ne shohim se ka mundësi të rëndësishme për afaristët tanë në periudhë afatmesme dhe afatgjatë”, theksoi Olpak.

“Miqësia jonë daton prej vitesh. Kjo miqësi u thellua edhe më tepër me projektin e Turqisë për t’u interesuar për Afrikën. Reflektimet e kësaj miqësie mund t’i shohim në çdo fushë, posaçërisht në marrëdhëniet ekonomike”, shtoi Olpak.

Ndërkohë, Ahmet Dal, kryetari i Këshillit të Biznesit Turqi-Burkina Faso që vepron në kuadër të DEIK, tha se marrëdhëniet mes dy vendeve do të vazhdojnë të zhvillohen.

Nga ana tjetër, Harouna Kabore, ministri i Tregtisë, Industrisë dhe Zejtarisë i Burkina Fasos, tha se Turqia si vend me të cilin kanë marrëdhënie të nivelit të lartë, është qendër e rëndësishme në aspektin e importit dhe eksportit.

“Turqia radhitet e nënta në mesin e vendeve nga të cilat Burkina Faso realizon importet”, tha Kabore.

Po ashtu, Mahamadi Savadogo, kryetar i Odës Industriale dhe Ekonomike të Burkina Fasos, tha se vendi i tij ka marrëdhënie mjaft dinamike me Turqinë.

“Në Samitin Tregtar të Afrikës, që do të mbahet në Ruandë më 12 qershor, do të tubohen qindra investitorë potencialë. Besoj se në këtë eveniment do të bëhen hapa konkretë për sa u përket firmave turke dhe ftoj investitorët turq në Burkina Faso”, deklaroi Savadogo.