Etilda Gjonaj: Reforma në drejtësi po zbatohet me ritme të kënaqshme

Në fjalën e saj ministrja Gjonaj tha se reforma në drejtësi po zbatohet me ritme të kënaqshme dhe nuk ka më kthim mbrapa

Në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian të Shqipërisë, më fokus ecurinë e reformës në drejtësi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takimin e sotëm është diskutuar për disa çështje lidhur me ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, ndërsa të pranishëm ishin raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian (PE), Knut Fleckenstein, ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Etilda Gjonaj, përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë, të Kuvendit, të institucioneve të tjera dhe përfaqësues organizatave të shoqërisë civile.

Në fjalën e saj ministrja Gjonaj tha se reforma në drejtësi po zbatohet me ritme të kënaqshme dhe sipas saj nuk ka më kthim mbrapa.

“Sistemi i ri i drejtësisë po ndërtohet ditë pas dite dhe prania në këtë takim raportues i përfaqësuesve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe organeve të tjera kushtetuese është treguesi më i mirë se sistemi i ri i drejtësisë po bëhet. Shqipëria si rrallë vende të tjera ndërmori një proces për rivlerësimin kalimtarë të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Gjonaj.

Sipas saj rezultatet e deritanishme treguan se organet e reja të sistemit të drejtësisë mund të ngriheshin vetëm me gjyqtarë e prokurorë që kishin kaluar me sukses procesin e vettingut.

Më tej ministrja Gjonaj tha se qëllimi i reformës në drejtësi nuk është vetëm largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, por “krijimi i një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm dhe i aftë për t’i shërbyer me devotshmëri qytetarëve. “Ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe fillimi i funksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi janë garanci kushtetuese për ofrimin e një drejtësie cilësore për qytetarët shqiptarë”, tha ajo.

Ndërsa eurodeputeti Knut Fleckenstein theksoi se roli i shoqërisë civile është i domosdoshëm për të ndihmuar në llogaridhënien e të gjithë procesit të integrimit evropian.

Sipas tij, ky takim ka një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh dhe arritjet e rëndësishme që janë bërë në sistemin e reformës në drejtësi. “Reforma në drejtësi është e rëndësishme sepse përbën bazën për të gjitha reformat e tjera që janë kërkuar nga Bashkimi Evropian”, tha Fleckenstein.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian është struktura më e lartë këshillimore kombëtare për integrimin evropian të Shqipërisë, që nxit dhe garanton bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet forcave politike, institucioneve publike dhe shoqërisë civile.