Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se, “të gjithë ata persona që në forma të ndryshme kanë nxitur ose kanë kryer akte të dhunës në protestën e djeshme duhet të marrin dënimin sipas parashikimit të ligjit”.
Në një konferencë për mediet Gjonaj tha se 8 punonjës të policisë janë dërguar për trajtim në spital si pasojë e djegies nga lëndët plasëse të hedhura nga protestuesit. “Protesta e djeshme e organizuar nga partitë politike është dëshmi e dhunës ndaj institucioneve shtetërore dhe e dënueshme nga ligji”, theksoi ajo, raporton Medial.
“E drejta e protestës sidomos kur është nga vetë qytetarët është një element i demokracisë së një shteti, por kur protestat bëhen nga partitë politikë për luftën për pushtet, protesta është e pajustifikueshme dhe nuk mund të shërbejë si një mjet që zëvendëson institucionet demokratike. Dhuna është e papranueshme dhe e pa tolerueshme”, deklaroj Gjanaj.
“Shqiptarët panë dhe kuptuan dje se ashtu sikurse edhe protestat e muajve të fundit, nuk janë protesta për interes të qytetarëve por protesta me akte dhune nga lidershipi i opozitës për shkak të panikut nga reforma në drejtësi dhe nga institucionet e reja që po ngrihen. Jemi të vendosur që të mos luhet me fatin e Shqipërisë duke çuar përpara reformën në drejtësi”- tha ajo



