“Turqia tërhoqi mbi 210 miliardë dollarë investime të drejtpërdrejta”

Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay ka deklaruar se Turqia ka arritur të tërheqë mbi 210 miliardë dollarë investime të drejtpërdrejta ndërkombëtare në 17 vitet e fundit

Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay ka deklaruar se Turqia ka arritur të tërheqë mbi 210 miliardë dollarë investime të drejtpërdrejta ndërkombëtare në 17 vitet e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Turqia në mesin e vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) është regjistruar si ‘vendi më reformist’ në heqjen e pengesave kufizuese përpara investimeve të drejtpërdrejta ndërkombëtare dhe ka arritur të tërheqë mbi 210 miliardë dollarë investime të drejtpërdrejta ndërkombëtare në 17 vitet e fundit”, tha Oktay në Takimin e Këshillit Koordinues për Përmirësimin e Mjedisit të Investimeve (YOİKK) i cili u mbajt në rezidencën presidenciale në Ankara.

YOİKK ka një të kaluar prej rreth 18 vjetësh, tha Oktay duke shtuar më tej se “Këshilli Koordinues për Përmirësimin e Mjedisit të Investimeve, në të cilin shumë prej institucioneve dhe organizatave tona të lidhura me investimet janë anëtare, ka zhvilluar studime efektive me kontributet e të gjithë aktorëve që nga dita e formimit. Takimi ynë është i një rëndësie të veçantë pasiqë është takimi i parë që kemi mbajtur pas Dekretit të Presidentit që ka riorganizuar strukturën e anëtarësimit të Këshillit”.

Pasi ka ripërsëritur vendosmërinë e Turqisë për procesin e reformave kundrejt përmirësimit të mjedisit të investimeve, Oktay tha se në kuadër të takimit do të vendosin aktivitetet që do të zhvillohen periudhën e ardhshme si dhe do të përcaktojnë mënyrat dhe rrugët për t’i avancuar më tej punimet e kryera deri më sot nën çatinë e Këshillit.

“Në periudhën e kaluar 17 vjeçare, në cilësinë e reformave, nën vizionin dhe udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan janë hedhur shumë hapa për të përmirësuar klimën e investimeve në Turqi, për të siguruar stabilitetin dhe për ta bërë Turqinë një qendër tërheqëse për investitorët në çdo aspekt. Do të doja të theksoja se gjatë hedhjes së këtyre hapave, kurrë nuk i kemi parë reformat si politika të njëhershme”, theksoi Oktay.

Ai potencoi se i kanë kushtuar vëmendje që politikat t’i përcaktojnë si “fleksibile dhe të qëndrueshme” sipas rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Krahas kësaj kemi përcaktuar metoda jo në letër por në praktikë që do të hapin rrugën për investitorët dhe përshpejtimin e proceseve. Si rezultat i kësaj perspektive dhe përpjekjeje Turqia në mesin e vendeve të OECD është regjistruar si ‘vendi më reformist’ në heqjen e pengesave kufizuese përpara investimeve ndërkombëtare të drejtpërdrejta dhe ka arritur të tërheqë mbi 210 miliardë dollarë investime të drejtpërdrejta ndërkombëtare në 17 vitet e fundit”, tha Oktay.