Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është takuar me homologun e tij të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili viziton Shqipërinë në kuadër të samitit të liderëve të Procesit Brdo-Brijuni, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lidhje me takimin, në rrjetet sociale presidenti Meta ka shkruar se “Vlerësuam marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe nënvizuam nevojën e rritjes së bashkëpunimit rajonal, si domosdoshmëri për integrimin evropian. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, mëse i merituar”.
Kujtojmë se më 9 maj do të mbahet në Tiranë samiti i radhës i liderëve të Procesit Brdo-Brijuni, organizuar nën kujdesin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili synon të përçojë një mesazh politik lidhur me aspiratën e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian (BE).
Në këtë samit përveç presidentit të Kosovës, me ftesën edhe të presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, është paralajmëruar pjesëmarrja e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, presidentit të Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe anëtarëve të Kryesisë së Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, Shefik Xhaferoviç dhe Zheljko Komshiç.
Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale themeluar në vitin 2010. Në mbyllje të samitit në Tiranë, liderët pjesëmarrës do të miratojnë një dokument me konkluzionet e takimit.![]()
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është takuar me homologun e tij të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili viziton Shqipërinë në kuadër të samitit të liderëve të Procesit Brdo-Brijuni, që do të mbahet nesër në Tiranë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Meta, në lidhje me takimin në rrjetet sociale ka shkruar: “I lumtur të takohem në Tiranë me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. E vlerësoj praninë e tij në Samitin e Brdo-Brijunit, duke e konsideruar një aktor kyç për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Marrëdhënie të shkëlqyera miqësore e historike midis dy vendeve tona”.
Gjatë ditës së sotme Meta u takua edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe me kryesuesin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH), Milorad Dodik dhe anëtarin Presidencës së BeH-së, Shefik Xhaferoviç.
Ndërkohë presidenti i Shqipërisë, realizoi një takim edhe me përfaqësuesen e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, e cila do të marrë pjesë në samit.
Më 9 maj do të mbahet në Tiranë samiti i liderëve të Procesit Brdo-Brijuni, i cili synon të përçojë një mesazh politik lidhur me aspiratën e vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian (BE).
Në këtë samit përveç presidentit të Kosovës, me ftesën edhe të presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe të presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, është paralajmëruar pjesëmarrja e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, presidentit të Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe anëtarëve të Kryesisë së Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës.
Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale themeluar në vitin 2010. Në mbyllje të samitit në Tiranë, liderët pjesëmarrës do të miratojnë një dokument me konkluzionet e takimit.



