Sipas Policisë italiane, katër shqiptarë dhe një italian u arrestuan në Firence, Siena, Brindizi dhe Vlorë ndërkohë që gjatë procesit hetimor është bllokuar mbi gjysëm tonë marijuanë.
Grupi kriminal është hetuar, sipas policisë italiane, për importimin, transportimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të marijuanës nga brigjet e Shqipërisë në ato të Pulias. Trafiku realizohej përmes mjeteve të shpejta detare që niseshin nga Vlora. Po sipas burimeve policore italiane, sasitë e mëdha të narkotikëve dërgoheshin më pas nga rajoni i Pulias në Italinë Jugore në disa nga qytetet kryesore italiane, të njohura për tregun kriminal të marijuanës.
Policia shqiptare nuk ka dhënë hollësi për personin e arrestuar në Vlorë për llogari të drejtësisë italiane. Italia vijon të mbetet destinacioni kryesor i sasive të marijuanës së kultivuar në Shqipëri. Megjithë përpjekjet e policisë shqiptare, dukuria e kultivimit të marijuanës nuk është ndaluar në disa zona në Shqipëri.
Ditët e fundit kanë nisur të zbulohen vatrat e para të mbjella me marijuanë, ndërkohë që të dhënat nga terreni flasin se edhe këtë vit ka tendenca të mëdha të kultivimit./VOA

