Seanca gjyqësore për ekstradimin e Assange në SHBA, shyhet për vitin e ardhshëm

Mbështetësit e tij e konsiderojnë atë një hero për ekspozimin e abuzimit të pushtetit nga një shtet modern, si SHBA.

Një seancë për të vendosur ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks Julian Assange në SHBA është caktuar për në fillim të vitit të ardhshëm, nga një gjykatë në Londër.

Assange, 47 vjeç, do të përballet me një dëgjim pesë-ditor duke filluar nga 25 shkurt për zbulimin e sekreteve të klasifikuara dhe spiunazhit. Ai përballet me 18 akuza nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Duke folur në gjykatë nëpërmjet lidhjes video, Assange tha: “Njëqind e shtatëdhjetë e pesë vjet të jetës sime janë në rrezik në mënyrë efektive.”

Ai mohoi akuzat për hakime, duke thënë: “WikiLeaks nuk është asgjë tjetër përveçse një botues informacionesh”.

Mark Summers QC, një avokat që përfaqëson Assange, e përshkruan çështjen si “një sulm të egër dhe të tërthortë mbi të drejtat e gazetarisë.” Ai tha se do të sfidonte dënimin 50 javë në Mbretërinë e Bashkuar.

Jennifer Robinson, një avokat tjetër që përfaqëson Assange, i tha BBC-së jashtë sallës së gjyqit se aktakuza e SHBA do të “vendoste një ndikim të frikshëm” ndaj gazetarisë dhe botuesve në mbarë botën.

Robinson gjithashtu tha se Shtetet e Bashkuara po kërkonin të ekstradonin Assange për “botimin e informacioneve të vërteta rreth Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë dëshmi për krime lufte, abuzim të të drejtave të njeriut dhe korrupsion në të gjithë botën”.

Assange u nxor jashtë nga ambasada e Ekuadorit në Londër në prill, ku ai kishte qëndruar për shtatë vjet. Aktualisht ai po vuan një dënim në burgun e Belmarsh në periferi të Londrës.

Në 2012, Assange kërkoi azil në ambasadë për të shmangur ekstradimin në Suedi lidhur me akuzat për sulme seksuale, të cilat ai e mohon. Akuzat u hoqën më pas.

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara argumentojnë se Assange komplotonte me shokët e tij të mëparshëm të Chelseat Manning në shkarkimin e informacionit të klasifikuar dhe botimin e tij në internet nëpërmjet WikiLeaks. Nëse ekstradohet në SHBA dhe dënohet, Assange mund të përballet me deri në 170 vjet burg.