“Vendimi i Asamblesë së Akademisë së Shkencave me pjesëmarrjen e 43 nga 44 akademikë është në fuqi dhe nuk ka patur kundërshtim dhe as ankimim. Duke qenë se ky vendim është në fuqi dhe duke shpresuar se ka ende hapësirë vendosëm t’i drejtohemi institucionit të Presidentit me një kërkesë për të rishqyrtuar dekretin e tij”.
Po nëse emërimi i Gjinushit do të refuzohet sërish nga Presidenti, zgjidhjen sipas Toles e jep Ligji i Ri për Akademinë e Shkencave që u miratua të enjten në Kuvend.
“Me ligjin e ri, parashikohen disa nene për situata të ngjashme, do veprohet siç citohet në ligj. Ka më në fund një procedurë se si veprohet. Nëse do ketë një dekret refuzimi parashikohet që lihet në dorë të Asamblesë”.
Presidenti Ilir Meta nuk e dekretoi Skënder Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave me argumentin se gjatë zgjedhjeve të zhvilluara në 24 Maj ai mbante edhe postin e Kryetarit të Partisë Social Demokrate.



