Një ditë pasi i quajti dëngla shqetësimet e tregtarëve dhe importuesve për mungesën e analizave dhe kontrolleve nga AKU për produktet bujqësore, ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi ishte në një prej pikave të grumbullimit në Lushnje ku tha se besueshmëria për prodhimet shqiptare konfirmohet nga të dhënat e eksporteve.
Por produktet bujqësore shqiptare nuk mund të eksportohen në të gjithë Europën, por vetëm në disa vende, përfshirë shtetet e rajonit si Serbia, Mali i Zi, Kosova apo Bosnje Hercegovina, transmeton TV Klan. Kjo pasi prodhimet ‘Made in Albania’ nuk përmbushin kriteret më të larta europiane të certifikimit për sigurinë ushqimore, siç është Global G.A.P, një standard i njohur ndërkombëtarisht në fushën prodhimit bujqësor. Kjo certifikatë garanton veç të tjerash pastërtinë e produkteve, përdorimin brenda normave te plehrave kimike, prejardhjen, dhe biodiversitetin
“Po të arrijmë ne të marrim certifikatat e Global G.A.P.-it për produktet tona ne automatikisht do rrisim 30% çmimin e produkteve.”
Televizioni Klan ka ngritur prej javësh shqetësimin për mungesën e kontrolleve te produktet bujqësore dhe praninë e lartë të nitrateve te pjepri dhe shalqini.



