Fuat Oktay: Turqia do të mbrojë me vendosmëri kufijtë dhe popullin e saj

Komentet e zv/presidentit vijnë pas sulmit me raketë të së hënës në juglindje të Turqisë ku mbetën të plagosur 6 persona, përfshirë edhe një fëmijë

Turqia me vendosmëri do të mbrojë kufijtë dhe popullin e saj, tha zv/presidenti turk Fuat Oktay pas sulmit me raketë në juglindje të Turqisë ku mbetën të plagosur gjashtë persona, raporton Anadolu Agency (AA).

“Forcat tona të armatosura menjëherë iu përgjigjën sulmit dhe që tani ne do të përgjigjemi me më shumë ashpërsi”, tha Oktay në Forumin e Biznesit Turqi-Uzbekistan që po mbahet në Ankara.

“Turqia me vendosmëri do të vazhdojë të mbrojë kufijtë dhe popullin e saj”, shtoi ai.

Gjashtë persona, përfshirë edhe një fëmijë, u plagosën të hënën kur njëra nga dy raketat e gjuajtura nga Siria qëlluan një zonë të banuar në Ceylanpinar në provincën juglindore Şanlıurfa.

Ministria turke e Mbrojtjes nëpërmjet rrjeteve sociale njoftoi se në përgjigje ndaj sulmit, shtatë caqe janë shkatërruar në anën siriane.

Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por Turqia ka fajësuar për kërcënimin ndërkufitar grupet terroriste DEASH dhe PKK/YPG.

Të paktën 319 persona e kanë humbur jetën në sulmet terroriste të DEASH-it në Turqi, ku organizata terroriste ka shënjestruar civilët me sulme vetëvrasëse me bomba, raketa dhe sulme me armë, përfshirë edhe sulme ndërkufitare në vitin 2016.

Në fushatën e saj më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.

Që nga viti 2016, Turqia ka ndërmarrë dy operacione ushtarake në veri të Sirisë për të pastruar rajonin nga terroristët, duke përfshirë edhe organizatat terroriste PKK/YPG dhe DEASH.