Banorët e Korçës protestojnë për ringritjen e shtëpive pas tërmetit

Banorët e fshatit Qafzez kanë protestuar para Bashkisë së Kolonjës për ringritjen e shtëpive të tyre të cilat u dëmtuan nga lëkundjet e forta sizmike që përfshinë qarkun e Korçës. Ata vijojnë të qëndrojnë në çadrat e ngritura pranë banesave të rrënuara, ndërsa të shqetësuar janë për fëmijët dhe të sëmurët.

Banorët e prekur nga tërmeti kërkuan mbajtjen e premtimit të qeverisë.

“Nuk po na mbështet as bashkia, as qeveria, askush. Na kanë lënë në mëshirë të Zotit. Po erdhi gushti është dimër. Kam byrazerin tim që i ka shpënë fëmijët në jetimore se është pa shtëpi, plakun e ka të sëmurë”, shprehet njëri nga banorët.

Ata thonë se verën po e kalojnë në çadra e kasolle, por mungesa e përgjigjes dhe angazhimit të institucioneve të shtetit siç thonë, mund ti lërë pa çati mbi kokë edhe në dimër, transmeton gazeta Dita.

Në rast se ndërhyrja do të vonojë, banorët paralajmëruan se do të përshkallëzojnë protestat.

“Do të bllokojmë rrugën kryesore. Nuk na shikon njeri me sy fare”, është thirrja e rradhës.

Banorët thonë se verën po e kalojnë në çadra e kasolle, por mungesa e përgjigjes dhe angazhimit të institucioneve të shtetit siç thonë, mund ti lërë pa çati mbi kokë edhe në dimër.

Lëkundjet sizmike që përfshinë qarkun e Korçës shkaktuan dëme të mëdha në fshatrat Floq, Qafzez dhe Vidohovë. Nga ana tjetër Ministria e Infrastrukturës shpjegon se në total janë 140 banesa të cilat do të rindërtohen dhe ndërkohë ka filluar puna për 40 të parat. Rindërtimi i banesave ka nisur nga familjet të cilat kanë nevojën më urgjente dhe më pas do të shtrihet edhe për shtëpitë e tjera.