Irani konfiskon një tanker të huaj të naftës në Gjirin Persik

Irani konfiskoi një tanker me flamur britanik muajin e kaluar në Ngushticën e Hormuzit

Irani ka konfiskuar të shtunën një tanker të huaj të naftës në Gjirin Persik, duke pohuar se transportonte naftë të kontrabanduar, njofton agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes një kumtese, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) tha se anija u konfiskua në afërsi të ishullit Farsi.

Në kumtesën e IRGC-së thuhet se tankeri transportonte 700.000 litra naftë të kontrabanduar dhe është dërguar në portin Bushehr.

Mbetet e paqartë kombësia e anijes së konfiskuar.

Muajin e kaluar, Irani konfiskoi një tanker me flamur britanik në Ngushticën strategjike të Hormuzit, në një veprim hakmarrës për konfiskimin e një anijeje iraniane në territorin britanik të Gjibraltarit.