Qeveria e Rajonit Special Administrativ të Hong Kongut njoftoi se do të tërheqë projektligjin e ekstradimit në Kinë, i cili nga fillimi i muajit qershor ka shkaktuar protesta masive antiqeveritare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Carrie Lam, liderja e rajonit, njoftoi në një mbledhje me ligjvënësit e Asamblesë Legjislative të Hong Kongut dhe Kongresit Popullor Kinez se do të tërheqë mbrapa projektligjin e diskutueshëm që nxiti revoltë në mesin e popullatës, raportoi gazeta South China Morning News e cila vepron në Hong Kong.
Lam po ashtu ka paralajmëruar formimin e një komiteti hetimor për hetimin e shkaqeve të trazirave sociale që u shfaqën së bashku me protestat dhe gjetjen e rekomandimeve për zgjidhje të mundshme.
Lam ka sinjalizuar përmbushjen e kërkesave të protestuesve të cilët demonstruan në rrugët e Hong Kongut për 13 javë.
Krahas tërheqjes së projektligjit, protestuesit kanë kërkuar edhe formimin e një komiteti të pavarur për hetimin e dhunës policore ndaj demonstruesve, amnisti për protestuesit e arrestuar, mospërdorimin e fjalës “kryengritje” për të përshkruar protestat dhe rifillimin e reformave politike.
Projektligji për ekstradim në Kinë
Hong Kongu u bë skenë protestash të paprecedentë që nga fillimi i qershorit kundër masës së qeverisë lokale për të legalizuar ekstradimin në Kinë.
Projektligji që parashikonte ekstradimin në Kinë, rajonin special Macao dhe në Tajvan të personave që janë të dënuar ose ndaj të cilëve ka pretendime akuzuese në Hong Kong, u paraqit në parlament më 3 prill.
Pavarësisht se projektligji përjashton krimet politike, në Hong Kongun me popullsi prej 7,4 milionë banorësh, shumica e popullatës ndante shqetësimin se njerëzit do t’i nënshtrohen paraburgimit arbitrar, proceseve të padrejta gjyqësore dhe madje edhe torturave nën sistemin gjyqësor të Kinës.
Opozitarët kanë shprehur shqetësime se nëse ligji miratohet, ai do të rezultojë që Kina të vendosë në shënjestër opozitarët politikë në Hong Kong.
Thirrjet e protestuesve më pas u zhvendosën në kërkesa më të mëdha pro-demokratike.
Hong Kongu është rajon autonom i Kinës nën formulën “Një vend, dy sisteme” që nga 1 korriku i vitit 1997, kur Britania ia dorëzoi ish-koloninë e saj Pekinit.



