“Finlanda konfirmon mbështetjen për hapjen e negociatave me Shqipërinë”

Cakaj ka realizuar një takim me ministrin e Jashtëm finlandez, ndërsa në konferencën e përbashkët për mediat u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe çështje të tjera

Finlanda konfirmon mbështetjen e saj për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) me Shqipërinë në tetor, theksoi sot ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Cakaj ka realizuar një takim në Tiranë me ministrin e Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, ndërsa në konferencën e përbashkët për mediat u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe çështje të tjera.

Gjatë fjalës në konferencë, Cakaj tha se bisedimet me ministrin Haavisto u përqendruan në argumentet dhe arsyet pse Shqipëria duhet të hapë negociatat me Bashkimin Evropian në tetor të këtij viti.

“Kjo vizitë zhvillohet në kudër të një komunikimi intensiv të ministrit me vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe pak java para vendimit për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duke marrë parasysh faktin se procesi i zgjerimit është një prej prioriteteve kryesore të presidencës finlandeze të Këshillit, një pjesë e konsiderueshme e diskutimeve të sotme u përqendruan pikërisht në argumentet dhe arsyet pse Shqipëria duhet të hapë negociatat në tetor të këtij viti”, theksoi Cakaj.

Cakaj u shpreh se sipas Komisionit Evropian, Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj në shkallë të mjaftueshme, sipas tij, për të filluar me procesin e bisedimeve për anëtarësim.

“Finlanda si vend anëtar i BE-së dhe si presidencë e Këshillit konfirmon mbështetjen e saj për hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë në tetor dhe përveç kësaj po ashtu konfirmon angazhimin e mëtejshëm për të punuar me vendet anëtare për t’i bindur ato pse jemi para një momenti kyç dhe meritat e Shqipërisë duhet të vlerësohen”, tha më tej Cakaj.

– “Finlanda mbështetet zgjerimin e Bashkimit Evropian”

Kryediplomati finlandez theksoi gjatë konferencës se Finlanda mbështetet procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Ne mendojmë që Ballkani Perëndimor nuk është në qoshe të largët, është në qendër të Evropës dhe ne i mbështesim bisedimet që po zhvillohen me Serbinë dhe Malin e Zi dhe tani duam që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të nisin bisedimet. Sigurisht ne nuk jemi të vetëm në marrjen e vendimit. Duam që vendimi të merret me unanimitetin e të gjitha shteteve anëtare”, tha ministri Haavisto.

Ai u shpreh se janë në bisedime me të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe me Tiranën në lidhje me progresin e bërë për shtetin ligjor, lirinë e shtypit dhe çështjet e drejtave të njeriut.

Haavisto theksoi më tej se vendet nuk i bëjnë ndryshimet për shkak të Bashkimit Evropian, por sipas tij për zhvillimin e tyre.