Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka realizuar një takim me zv/kryeministrin dhe ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, të cilët kanë diskutuar mbi ndihmën financiare pas tërmetit që goditi Shqipërinë në muajin nëntor, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Presidenti Meta e falënderoi Pacollin për mbështetjen dhe ndihmën e vyer të autoriteteve të Kosovës, dhe veçanërisht për angazhimin e tij personal, për të kontribuar me një ndihmë financiare prej rreth 1 milion euro, për tejkalimin e pasojave të rënda të tërmetit të 26 nëntorit”, thuhet në njoftimin nga Presidenca e Shqipërisë.
Ndërsa Pacolli, sipas njoftimit, gjatë takimit shprehu gatishmërinë për të filluar sa më parë projektin e tij bamirës për ndërtimin e banesave të reja të familjeve në Thumanë, që humbën shtëpitë e tyre nga fatkeqësia natyrore.
Kujtojmë se tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, përveçse shkaktoi 51 persona të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale.
Si pasojë e tërmetit janë shkatërruar dhe dëmtuar pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla dhe objekte të institucioneve.![]()



