Kosovë, konferencë mbi sfidat e fëmijëve me aftësi të kufizuara

Kadriu tha se mbi 90 për qind të shërbimeve qe i marrin sot fëmijët me aftësi të kufizuara janë nga organizatat për persona me aftësi të kufizuara, ndërsa shumë pak shërbime ofrohen nga shteti

Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar (FKAK) me përkrahje të zyrës së UNICEF-it në Kosovë ka organizuar konferencën me temë “Gjithëpërfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara”, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëllimi i kësaj konference është koordinimi i proceseve dhe përfaqësuesve të institucioneve me qëllim të harmonizimit të diskutimeve rreth përpilimit të ligjeve dhe fushave kyçe me prioritet integrimin e fëmijëve në legjislacionin aktual.

Kryetari Forumit Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, tha se mbi 90 për qind të shërbimeve që i marrin sot fëmijët me aftësi të kufizuara janë nga organizatat për persona me aftësi të kufizuara, ndërsa shumë pak shërbime ofrohen nga shteti.

Kadriu tha për këtë arsye synimi i tyre është krijimi i një legjislacioni të përshtatshëm, në harmoni me interesat e këtyre fëmijëve.

“Të jesh një fëmijë me aftësi të kufizuara i edukuar sot, nesër mund të jesh një e ardhme e këtij vendi. Ai person mund të jetë produktiv për këtë vend dhe mund të jetë në interes të të gjithë shoqërisë dhe vetvetes. Prandaj, çelësi i zhvillimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara është mbrojtja legjislative, edukimi, shërbimet dhe eliminimi i të gjitha barrierave të cilat ata i pengojnë për të qenë të pavarur”, tha Kadriu, i cili shtoi se në Kosovë problem dukshëm i madh është mospërfshirja në sistemin e edukimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Drejtori i UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, përmendi disa sfida që ka parë nga jetesa në kryeqytetin Prishtinë për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ai tha se Kosova nuk ka autobusë që u mundëson përdorimin personave të tillë, por edhe nëse ata përballojnë kostot e taksive, nuk ka as taksi me kushte të përshtatshme për ta.

Sahin tha se për personat me aftësi të kufizuara nuk duhet folur vetëm në forume të tilla, por “më shumë jashtë tyre, në rrugë, aty ku edhe duhen dhe ka nevojë për ndryshime të prekshme”.

“Për shembull në Turqi dhe në disa vende të tjera vihet taksë në duhan apo alkool dhe gjëra të tjera dhe pastaj thuhet nga kjo taksë speciale paratë shkojnë për një qëllim. Qëllim për ndonjë fond, ndoshta për edukimin e fëmijëve ndoshta për personat me aftësi të kufizuara”, shpjegoi Sahin.

Në këtë forum mori pjesë edhe Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë, pjesë e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, i cili tha se Kosova tashmë ka bërë një ligj për mbrojtjen e fëmijëve dhe pritet të hyjë në fuqi në qershor të vitit 2020.

Haradinaj theksoi se sfidë për ta është bashkërendimi i politikave nacionale dhe atyre lokale, ngase edhe në raportet e fundit mbi këto çështje vihet në pah se ka mangësi të rezultatit të mirë.

Konferenca do të vazhdojë gjatë ditës me panele diskutimi me tema të ndryshme rreth legjislacionit për fëmijët, rasteve të paraqitura tek Avokati i Popullit, Politikat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në relacion me ligjin gjithëpërfshirës, me përfaqësues organizatash, si dhe me zyrtarë institucional.